Kosova

Blinken: Kisha diskutime produktive me Vuçiçin

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se ka pasur “diskutime produktive” me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Mynih të Gjermanisë, ku po mbahet një konferencë për sigurinë.

“Biseduam për rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve [të Serbisë] me Kosovën dhe për atë se sa e vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të Serbisë për Ukrainën”, shkroi Blinken në Twitter.

“Ne e ndajmë dëshirën e Serbisë për një të ardhme me Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

Vuçiç, i cili po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, shkroi në profilin e tij në Instagram se në takim me Blinkenin, përveç se u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, u konfirmua edhe “përmirësimi e marrëdhënieve” mes vendeve të tyre.

Kosova dhe Serbia janë nën trysninë e komunitetit ndërkombëtar për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, nga frika se Rusia mund t’i shfrytëzojë tensionet mes tyre për të nxitur destabilizim në Ballkan, në përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

Aktualisht, palët kanë në tryezë një propozim të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilin SHBA-ja ka shprehur mbështetje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pritet të takohen në Bruksel më 27 shkurt, për herë të parë që nga nëntori i vitit të kaluar.

Një ditë më parë, në urimin e tij me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovë, Blinken nënvizoi se “marrëveshja me Serbinë e çon Kosovën drejt integrimit euroatlantik”. “Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin për përparësitë tona të përbashkëta për të forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, i përqendruar në njohjen përfundimtare të ndërsjellë, mbetet thelbësor për këtë. Marrëveshja e propozuar së fundmi në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë në masë të madhe vendin tuaj drejt qëndrueshmërisë më të madhe rajonale dhe integrimit evropian dhe euroatlantik”, thuhej në mesazhin e sekretarit Blinken. /REL, VOA


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë