Kosova

Blinken, i gatshëm të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi

Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, është i gatshëm të përfshihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, nëse shfaqet nevoja.

Kështu është shprehur zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, gjatë një konference për media ditën e djeshme.

I pyetur nga gazetarët nëse sekretari Blinken mund t’i thërrasë në telefon liderët e Kosovës dhe të Serbisë, ose t’i takojë fizikisht ata para datës një shtator, Price tha se kjo edhe mund të ndodhë.

“Nëse mendojmë se angazhimi i Sekretarit nëpërmjet telefonit ose personalisht është përbërësi i domosdoshëm për të kaluar diçka të tillë në vijën e finishit, sekretari Blinken nuk heziton të marrë telefonin dhe të bëjë ato biseda”, u shpreh Price, raporton Zeri.info.

Zëdhënësi i DASH-it tha se SHBA-ja ka qenë thellësisht e angazhuar në këtë proces dialogues, si vëzhgues, ndërsa shtoi se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Ashtu siç thashë javën e kaluar, ne e kemi kuptuar se bisedimet janë në vazhdim. Jemi duke vëzhguar. Po e bëjmë këtë në partneritet me BE-në. Po i inkurajojmë të dyja palët që ta përdorin dialogun në mënyrë efektive. Është një dialog që ne e mbështesim shumë dhe mendojmë se është detyrë e të dyja palëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi në masën maksimale për të çuar përpara diskutimet e tyre mbi marrëdhëniet e normalizuara, të përqendruara gjithashtu në njohjen reciproke”, theksoi Price në këtë konferencë për media.

Ndër të tjera, ai tha se përveçse i dërguari i SHBA-së për Dialogun, Gabriel Escobar, qëndroi në Bruksel dhe ku zhvilloi takime me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai po udhëton në Prishtinë dhe në Beograd “për të mbështetur dialogun dhe për të vazhduar të tregojmë interesimin dhe angazhimin tonë të nivelit të lartë për këtë çështje”.

“Ai udhëtoi, natyrisht, në Bruksel javën e kaluar dhe së shpejti do të udhëtojë në Prishtinë dhe Beograd për të vazhduar mbështetjen tonë për dialogun”, u shpreh Ned Price, zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit. /Zëri/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë