Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka biseduar sot me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Bisedat telefonike janë zhvilluar të ndara. Në një postim në Twitter, Kurti thotë se temë e diskutimit ishte dialogu Kosovë-Serbi dhe rëndësinë e arritjes së një marrëveshje për njohjen reciproke.
“Pata një bisedë shumë të mirë telefonike me sekretarin Blinken. E informova për progresin e vazhdueshëm në Kosovë. Biseduam për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën e intensifikimit të procesit të dialogut drejt një marrëveshjeje ligjërisht detyruese që ka në qendër njohjen reciproke”, ka shkruar Kurti.
Nga ana tjetër, Presidenca e Serbisë njofton gjithashtu se Vuçiç ka diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi me Blinken.
“Tri temat kyçe të bisedës telefonike ishin çështja e Kosovës dhe dëshira e administratës amerikane për të arritur një zgjidhje sa më të shpejtë, pastaj marrëdhëniet e Republikës së Serbisë me Federatën Ruse, si dhe diversifikimi i burimet energjetike të vendit tonë. Sekretari i Shtetit, Blinken e informoi presidentin Vuçiç për domosdoshmërinë e arritjes së shpejtë të një marrëveshjeje me Prishtinën dhe presidenti Vuçiç prezantoi pikëpamjet e Republikës së Serbisë”, thuhet në njoftim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




