Ekonomi

Blerjet e valutës, Banka e Shqipërisë do të organizojë për herë të parë ankande forward 3-mujorë

Banka e Shqipërisë organizoi për herë të parë ankande të llojit forward në vitin 2021, me qëllim nxitjen e përdorimit të këtij instrumenti edhe në transaksionet e tregut ndërbankar dhe në ato mes subjekteve private. Deri në vitin 2024, ankandet e llojit forward kishin një afat maksimal njëmujor. Për vitin 2025, Banka e Shqipërisë ka vendosur të zgjasë afatin e marrëveshjeve forward në tre muaj, si një mënyrë për të zhvilluar më tej përdorimin e këtyre instrumenteve.

Kontratat forward të kursit të këmbimit janë marrëveshje sipas të cilave palët bien dakord të kryejnë këmbim valutor në një datë të caktuar në të ardhmen, sipas një kursi të vendosur në momentin e nënshkrimit të kontratës. Përdorimi i tyre ka si qëllim kryesisht mbrojtjen nga luhatje të pafavorshme të kursit të këmbimit në të ardhmen.

Rënia e fortë e kursit të këmbimit të euros me lekun gjatë viteve të fundit ka rritur vëmendjen e aktorëve të tregut rreth këtyre kontratave. Ato mund t’u shërbejnë kryesisht subjekteve që kryejnë rregullisht transaksione në valutë të huaj, kryesisht atyre eksportuese dhe importuese.

Marrëveshja forward është marrëveshje detyruese që do të thotë që palët, si blerësi ashtu edhe shitësi janë zotuar dhe nuk mund të heqin dorë në rast se kursi i fiksuar i këmbimit ndryshon në mënyrë të pafavorshme. Për të kompensuar riskun e mosrespektimit të marrëveshjes apo mos shlyerjes, ofruesi i kontratës (banka) kërkon një kolateral nga klienti që hyn në një marrëveshje forward. Duke qenë se lëvizjet e kursit të këmbimit në vitet e fundit kanë qenë kryesisht në kahun e forcimit të lekut, Banka e Shqipërisë i ka sugjeruar marrëveshjet forward për ndërmarrjet eksportuese, si një mënyrë për t’u mbrojtur, në një shkallë të caktuar, nga efekti negativ i kursit të këmbimit.

Për të nxitur përdorimin e kontratave forward në tregun e brendshëm, në tre vitet e fundit
Banka e Shqipërisë ka filluar t’i përdorë këto instrumente në ankandet e saj të blerjes së
valutës.

Megjithatë, sipas bankierëve, deri tani përdorimi i këtyre kontratave në Shqipëri është në
përmasa shumë të vogla dhe kjo ndodh për disa arsye. Ata nënvizojnë se këto kontrata
njihen shumë pak nga bizneset dhe kjo rezulton në një kërkesë të dobët, që nuk i nxit bankat të investojnë në zhvillimin e këtyre procukteve./ Monitor


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë