Gazeta Si – SPAK dërgon për gjykim 4 zyrtarë për korrupsion zgjedhor. Bëhet fjalë për Dritan Stoka, Agim Osma, Alqi Hajdini dhe Ylli Baruti, të cilët akuzohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, në bashkëpunim me njëri tjetrin, këta persona kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje për disa shtetas, sipas përgjimeve të bisedave telefonike.
Dritan Stoka, zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të ASHK-së dhe Agim Osma, kryeplak i Lagjes së Re, Sauk, dyshohet se kanë kryer veprime aktive gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të vitit 2019, duke kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të personave që do të merrnin pjesë në zgjedhje, duke i detyruar për të votuar ose përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve, si për qëndrim në punë ose dhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut.
Ndërsa Alqi Hajdini, jurist dhe Ylli Baruti, në rolin e sekserit, nëpërmjet pranimit të përfitimeve të parregullta, shpërblim në të holla, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të shtetasve G.K., N.S., E. M. dhe K.D.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.