Ne rrjet

Blerja e raketave ruse, SHBA sanksione ndaj Serbisë!

“Armatosja deri në dhëmbë” me raketa ruse duket se mund t’i kushtojë Serbisë shumë shtrenjtë.

Pas paralajmërimit të të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin, Mattheë Palmer, Perëndimor, se Beogradi mund t'i nënshtrohet sanksioneve nëse blen armë ruse, Departamenti Amerikan i Shtetit duket se ka vendosur të marrë të tjera masa.

Pas injorimit të këtyre paralajmërimeve nga qeveria serbe, zyrtari amerikan Thomas Zarzecki, i cili kryeson Task Forcën e sanksioneve në Departamentin Amerikan të Shtetit, do të mbërrijë në Beograd të premten, ku pritet të paralajmërojë vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë.

Mediat serbe shkruajnë se si ëshë përgjegjëse për zbatimin e sanksioneve që lidhen me armatimet ruse dhe atyre që bashkëpunojnë me Moskën në sektorin e sigurisë.

“Vizita e Zarzecki ishte planifikuar menjëherë pasi u njoftua Serbia kishte blerë sistemin rus të mbrojtjes ajrore ‘Pantsir’, por u zëvëndësua me vizitën e Palmer”, shkruan sot media serbe “B92”. Task Forca për të cilën ai është përgjegjës parashikon mekanizma penalizues për çdo individ, firmë ose shteti, i cili zbulohet se ka bashkëpunuar qëllimisht me sektorin ushtarak dhe atë të inteligjencës ruse.

Sistemi raketor rus, "Pantir S". Gazeta Si, 2019

Kjo task force rendit gjithashtu kompanitë e industrisë së mbrojtjes ruse me të cilat është e ndaluar të bashkëpunojnë partnerët e SHBA-së. Serbia duket se mund të goditet me sanksione pasi ka bashkëpunuar dhe ka blerë pajisje ushtarake nga kompanitë "e ndaluara" nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

"Lista e zezë" e SHBA-së përfshin gjithashtu edhe kompaninë që prodhon helikopterët Mi-17 dhe Mi-35 , të porositura tashmë nga Serbia. Javën e kaluar, Palmer “kërcënoi” Serbinë me sanksione nëse blen armë ruse.

"Shpresojmë që partnerët tanë serbë të jenë të kujdesshëm në lidhje me transaksionet e këtij lloji," tha Palmer në një intervistë për televizionin maqedonas “Alsat M”.

Edhe pse Beogradi është akuzuar nga fqinjët si Bosnja dhe Kosova për nxitjen e një gare të re armësh në rajon, qeveria serbe ka injoruar të gjitha kritikat, duke u pajisur me raketa ruse.

Pavarësisht paralajmërimeve amerikane, Rusia ka njoftuar se do të dorëzojë sistemimin e sofistikuar të raketave të mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër në Serbi. Agjensia e lajmeve shtetërore ruse TASS raportoi më 6 nëntor se sistemi “Pantsir-S” do t'i dorëzohet Serbisë "brenda disa muajve të ardhshëm në përputhje me kontratën e nënshkruar".

Presidenti Aleksandër Vuçiç deklaronte me mburrje muajin e kaluar se asnjë ushtri në rajon nuk mund të krahasohet me atë serbe. Serbia mbajti stërvitje të përbashkëta ushtarake ajrore me Rusinë, në të cilën ishin vendosur sistemet me rreze të gjatë S-400 dhe raketat “Pantsir-S “të prodhuara nga Rusia.

Kjo ishte hera e parë që një batalion S-400 dhe një bateri Pantsir-S ishin shfaqur në stërvitje ushtarake jashtë Rusisë, deklaroi Ministria e Mbrojtjes Ruse.
Vuçiç tha se Serbia po blen armë mbrojtëse nga rusët por se dëshiron të shmangë çdo “konfrontim me Amerikën", njoftoi AP.

Rusia I ka shitur ndër vite aeroplanë luftarakë helikopterë dhe tanke Serbisë, duke ngritur shqetësime në rajonin.

"Serbia po armatoset vsepse është një vend i lirë i rrethuar nga vendet anëtare të NATO-s me të cilat ne duam të jemi miq," tha Vuçiç.
Serbia planifikon të dyfishojë me miliarda euro buxhetin ushtarak, duke blerë tanke dhe një sërë pajisjesh të tjera ushtarake. Këto plane bëhen më alarmante në konktekstin e përplasjeve dhe rritjes së tensioneve me Kosovën.

Autoritetet serbe thonë nga ana tjetër se ata duhet të modernizojnë ushtrinë e vendit të tyre, për t’i bërë ballë të gjitha kërcënimeve ushtarake. “Ne po forcojmë në mënyrë dramatike ushtrinë tonë, po marrim hapa gjigant në këtë drejtim”, tha presidenti Vuçiç.

Vitet e fundit Serbia ka shpenzuar qindra miliona euro për blerjen e avionëve ushtarake nga Rusia, dhe ka blerë gjithashtu edhe dhjetëra helikopterë ushtarakë nga Gjermania si dhe një sërë armësh të tjera nga Kina.

10 mjeteve të blinduara ruse kanë mbërritura së fundmi në një bazë ushtarake të ushtrisë serbe në Nish. Automjetet ushtarake ruse, të llojit “BRDM-2” i janë dorëzuar Serbisë, pavarësisht refuzimit të Rumanisë fqinje për të mos i lejuar ato të kalojnë përmes lumit Danub për shkak të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë. Edhe pse presidenti serb u mundua ta mbante të fshehtë, mediat europaine kanë zbuluar se automjetet e blinduara u transportuan për në Serbi nga aeroplanët rus javën e kaluar, duke përdorur hapësirën ajrore hungareze, pasi Budapesti ishte i vetmi që lejoi transportin e armëve ruse.

Presidenti serb njoftoi se deri në fund të vitit në Serbi do të mbërrijnë edhe katër helikopterë luftarakë Mi-35, tre helikopterë transporti Mi-17, si dhe tanke të tjera.

Marrjen e këtyre automjeteve duket se erdhi si një demonstrim i përpjekjeve të autoriteteve serbe për fuqizimin e aftësive ushtarake të Beogradit.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç

Vitin e kaluar, agjencia ruse e lajmeve, “Tass” njoftoi se Serbia dhe Rusia kishin rënë dakord për prokurimin e armëve të reja të Serbisë, duke përfshirë helikopterët Mi-17, tanket T-72, automjetet luftarake BMP-2 dhe një sërë pajisjesh të tjera ushtarake. Serbia ka lidhur gjithashtu këtë vit marrëveshje ushtarake edhe me Bjellorusinë. Më 29 janar të vitit 2017, ministri serb i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviç tha se Bjellorusia ishte e gatshme t’i dhuronte Beogradit tetë aeroplanë “MIG 29”, si dhe disa sisteme raketore të dizajnuara nga Rusia. Mediat serbe njoftuan në prill se avionët pritet të mbërrijnë këtë vit.

Zëvendësministri serb i Mbrojtjes, Nenad Miloradoviç njoftoi vitin e kaluar Serbia kishte rënë dakord të blinte armë të sofistikuara dhe teknologji ushtarake nga Kina, “të cilat nuk i ka asnjë vend tjetër në Ballkan”. “Kjo është aftësi që vetëm ushtarakët më të aftë të botës e kanë dhe do ta jetë tanimë në dispozicion të ushtrisë serbe”, shtoi Miloradoviç.

Ekspertët ushtarakë serbë besojnë se përmirësimi ushtarak është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të treguar popullsisë kryesisht pro-ruse se Serbia po thellon lidhjet me aleatin e saj të vjetër, Moskën. SHBA-ja po ashtu ngriti dyshime të forta mbi një qendër humanitare ruse në qytetin jugor të Nishit, duke deklaruar se ajo shërben si bazë spiunazhi. Këtyre shqetësime ju bashkuan edhe disa qeveri perëndimore duke shprehur pakënaqësi të thella ndaj Beogradit zyrtar. Serbia këmbënguli nga ana tjetër se qendra është ndërtuar vetëm për të siguruar ndihma emergjente në rast fatkeqësie natyrore në rajon.

Beogradi shpalli doktrinën e neutralitetit ushtarak në dhjetor të vitit 2007 dhe qeveria aktuale nuk ka sinjalizuar se mund ta ndryshojë këtë politikë zyrtare. Por sipas sondazheve, NATO nuk është aq i mirëpritur në Beograd sa Rusia, për shkak të sulmeve ajrore në vitin 1999, të cilat e detyruan Serbinë të tërhiqej nga Kosova.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë