Treg

Blegtoria në rënie të lirë…

Blegtoria është në gjendje dëshpëruese dhe të paktën prej tre vitesh ka një rënie të theksuar të krerëve dhe të prodhimit të qumshtit.

Kjo rezulton nga statistikat e INSTAT, por është një shqetësim që ngrejnë veterinerët dhe ekspertët e fushës.

Madje, për ekspertin Ervin Resuli, gjendja është më alarmante se ç’e paraqet INSTAT që për të i fsheh shifrat e vërteta.

Sipas Resulit, nëse blegtoria do të degradojë më tej, do të kthehemi në fasoneri të përpunimit të qumshtit të rajonit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i gjedhëve në vitin 2019 është 415.609 krerë, duke shënuar rënie me 11,07 %, në krahasim me vitin 2018.

Edhe për vitin 2018 do të shënohej një rënie e krerëve dhe e prodhimit të qumshtit përkatësisht me 1,7 dhe 1 % krahasimisht me 2017-ën.

Në vitin 2019, numri i të leshtave qe 1,75 milionë krerë, duke shënuar rënie me 5,66 %, krahasuar me vitin 2018. Kategoria kryesore e të leshtave përbëhet nga delet e qumështit me 71,51 % ndaj totalit të tufës.

Numri i të dhirtave në vitin 2019 ishte 862.865 krerë, duke pësuar rënie vjetore me 5,92 %, në krahasim me vitin 2018. Kategoria kryesore përfaqësohet nga dhitë e qumështit, me 77,75 % ndaj totalit të tufës.

Po në atë vit, numri i krerëve të derrave ishte 183.847 krerë, duke shënuar rënie vjetore me 0,16 %, krahasuar me vitin 2018.

Edhe prodhimi i qumshtit nga delet, për vitin 2019, ka pësuar rënie me 3,67 %, krahasuar me vitin 2018.

Prodhimi qumështit nga dhitë në 2019 është 2,41 % më i ulët se një vit më parë.

Prodhimi i mishit peshë e gjallë është 157 mijë tonë, duke shënuar rënie me 2,77 %, në krahasim me vitin 2018.

Por, sipas Resulit, Shqipëria ka të paktën 100 mijë krerë më pak se çfarë raportin INSTAT.

Ai thotë se në Shqipëri sot ka 350 mijë krerë gjedhë.

“Në 3 vitet e fundit kemi një trend të frikeshëm rënieje të blegtorisë. Pra INSTAT për mua nuk është realist në të dhënat. Vetëm po ti referohemi Vaksinës së LSD  që është bërë 3 vitet e fundit që është një lloj censusi për gjedhin,  nuk i kalojmë 350 mijë krerë”- argumenton Resuli.

Ervin Resuli, Veteriner

Duke komentuar metodologjinë që përdor INSTAT për qëllimin e matjes së kreërve të gjedhëve, eksperti Resuli vëren se “Tek metodologjia vërehet re një gënjeshtër tjetër; Vetërinerët privatë  Ministria e Bujqësisë përdor tre burime informacioni për grumbullimin e të dhënave: Ekspertët e ekstensionit që janë pjesë e strukturave të Drejtorive të Bujqësisë ,Shërbimin veterinary, Veterinerët privat❗. Këta të fundit nuk raportojnë zyrtarisht asnjë info në shërbimin veterinar qendror, janë krejtësisht jashtë raporteve apo evidencave që bëjnë institucionet ! Përfshi këtu ligjin e fundit që kaloi për ndryshime që i përjashton në mënyrë kategorike veterinerët privat në ndonjë marrdhënie me shtetin !”

Eksperti Resuli thotë se në tre vitet e fundit vetëm në qytetin e Fierit ka një rënie me më shumë se 4000 krerë gjedhë (lopë) kurse në rang kombëtar me 40-50 mijë. Për të imtat për të cilat mbahet Gjirokastra, Tepelena rezulton një rënie me më shumë se 50 mijë në këto zona, në rang kombëtar rënia rezulton mbi 400 mijë.

Sipas tij arsyet e degradimit të blegtorisë janë; Subvencionet në tre vitet e fundit sidomos skema kombëtare nuk i ka kaluar 5 milion euro për 45mijë fermerë, ndërkohë që Mali i Zi ka 61 mln euro për 11.888 fermerë dhe Kosova 53 milion euro për 18mijë fermerë.

Pra, shpjegon ai, nuk kemi politika nga Qeveria dhe kemi një braktisje nga Ministria e linjës

Po ashtu sipas tij, duke mos qenë punë fitimprurëse, nuk kemi të rinj që kthehen apo vazhdojnë punën e prindërve të tyre

Një arsye tjetër është mosha mesatare shumë e lartë dhe duke ditur që fermat duan dhe forcë fizike kemi një ulje në tufa

“Për 2020 ne barazohemi me numrin e krerëve që ka Kosova e cila ka shkuar në 289,000 dhe për 2020 kemi të dy shtetet nga 300.000 krerë gjedh  dhe nëse nuk kemi një ndëhyrje rrënjësore dhe të studiuar, do na i kalojnë dhe shtetet e rajonit ! Kjo do të dëmtojë Shqipërinë në kuotat e qumshtit kur të hymë në BE. Me pak fjalë, do jemi konsumatorë të rajonit dhe industria jonë agropërpunuese në fasoneri, e cila do importojë qumësht nga rajoni”- thotë ai.

Fshatrat shqiptare kanë një tablo të atillë që kanë mbetur kryesisht vetëm mosha mesatare e lartë. Ekspertët thonë se nuk ka politika atraktive për të mbajtur të rinjtë në fshat që të investojnë e punojnë si në vendet e rajonit dhe ato europiane. Bujqëisa është e vështirë dhe e lodhshme. Por edhe ata që aktualisht punojnë se e kanë pasion bujqësinë e blegtorinë, sipas ekespertëve janë të lodhur nga skemat e qeverisë dhe kostot e larta.

Dhe ajo që mban peshën kryesore në kosto është nafta që fermerët e paguajnë po aq sa makinat e luksit.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë