A është ai një figurë politike me peshë në PS? Jo.
A është ai një emër surprizë për të sheshuar çdo mendje të nxehtë në këto kohë polemikash në vend? Jo.
A është ai njeriu që mund të binde ata që sot kanë refuzuar lidhjen me shtetin? Jo
Ai nuk i përngjan asnjërës prej tyre, por “Po” ai është bashkëpunëtor i ngushte i kryeministrit Edi Rama.
Ai nuk është një politikan me tipare lideri, por thjesht ndjekës. E vërteta e tij më e madhe është qëndrueshmëria ndaj kryetarit.
Një politikan që nuk del nga rreshti, ai shpërfaq një figurë të qetë, jo polemizuese që nuk provokon debat.

Pas dyshes Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj, me peshë në Partinë Socialiste, ai plotëson atë zgjedhjen e mesme me jo aq ndikim, në partinë që qeveris vendin prej 7 vjetësh, për të drejtuar një nga ministritë më të sulmuara dhe më debatuesja për mënyrën se si ka funksionuar përgjatë 3 dekadave në vend.
U duk një zgjedhje jo e lehtë e Edi Ramës për rrethanat në të cilat iku Sandër Lleshaj.
U përfol gjatë se do i jepte drejtimin e Ministrisë së Brendshme një femre. Por kryeministri bëri një zgjedhje fare të lehtë (ndryshe nga sa po dukej) tek një nga njerëzit e tij më të besuar. Sepse i tillë është Bledi Çuçi. Një emër që duket se nuk do të kontestohet as nga Presidenti Ilir Meta, pasi është anëtar aktual i kabinetit.
Ai njeh mirë pushtetin vendor, legjislacionin dhe proceset zgjedhore.
Por, sa do mundet të jetë Bledi Çuçi, Ministër i Brendshëm dhe i pavarur (nëse e do koha) nga Rama apo kushdo klan tjetër me peshë në PS në një situatë aspak të lehtë për Ministrinë, por edhe Policinë, pas vrasjes së 25 vjeçarit Klodian Rasha?
Besueshmëria është tronditur, po kërkohet reformim i policisë dhe jo vetëm dorëheqje e Ardi Veliut.
Sa mundësi, hapësirë dhe vullnet do të ketë Bledi Çuçi për të kthyer pllakën, ndërsa koha nuk premton në këtë drejtim, pasi shpejt vëmendja do të përqendrohet te zgjedhjet e 25 prillit dhe roli i Ministrisë së Brendshme dhe Policisë është gjithnjë i diskutueshëm, aq më tepër në këto zgjedhje të perceptuara si më të ashprat e mbajtura ndonjë herë, për shkak të gjithë historisë së raporteve të qeverisë dhe opozitës në këto 7 vite, kur Rama synon një mandat të tretë dhe PD-LSI thonë se është e pashmangshme ardhja e tyre në pushtet.
E vështirë të thuhet për të.
Sepse Bledi Çuçi nuk i përngjan as Saimir Tahirit që pas katër vitesh ministër filloi të dilte nga rreshti për të punuar për të ardhmen e tij në politikë, e as Fatmir Xhafës që nuk shkeli syrin ndaj disa grupeve kriminale për do interesa klanesh në PS, por nuk është as Sandër Lleshaj i cili publikisht deklaroi se marrëdhëniet e tij me Edi Ramën nuk kishin qenë të ngrohta.
Ajo që dimë është se Bledi Çuçi është diplomuar për Juridik në Universitetin e Tiranës në vitin 1995. Për një vit ka kryer Master në Belgjikë për menaxhim dhe me pas për disa vite ka punuar si ekspert pranë shoqatave dhe instituteve të shoqërisë civile, vendore dhe ndërkombëtare, kancelar i Gjykatës së Rrethit Tiranë, drejtor i Drejtorisë Juridike dhe Integrimit, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Pushtetit Vendor deri para vitit 2005.
Katapultimi i tij në politikë erdhi në 2007-ën me propozim të Edi Ramës duke i besuar atij disa detyra fillimisht reforma Administrative Territoriale e më pas ekspert pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, por kryesisht për çështje teknike, për të drejtuar prej shtatorit 2013 deri në mars 2017, detyrën si Ministër Shteti për Çështjet Vendore dhe Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit.
Gjatë asaj kohe, Çuçi dallohet për kontributin e tij tek reforma territoriale, (që më vonë nuk dha frytet që premtoi) ndërsa si Koordinator kundër Korrupsionit nuk la ndonjë shenjë të qenësishme.
Prej tetorit të vitit 2016, Çuçi është i deleguari politik i PS për qarkun Gjirokastër; prej dy vitesh shërben si Nën-Sekretar për Çështjet Zgjedhore në PS ndërsa në janar 2019 ai mori detyrën e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Për do kohë, ai u mor edhe me menaxhimin e situatës pas tërmetit deri në zgjedhjen e Arben Ahmetajt, si Ministër i Shtetit për Rindërtimin.
Bledi Cuçi nuk është as më shumë e as me pak se një politikan model për një kryetar që deri më tash ka zbatuar më përpikmëri çdo detyrë që i është ngarkuar.
A do ta “kapërcejë ylberin”, Çuçi si Ministër i Brendshëm, një detyrë që me gjasë as nuk i kish shkuar ndonjëherë në mendje se do ta merrte?
Deri më sot, ai nuk ka dalluar për ndonjë debat publik lidhur me krimin në vend, as për fenomenin e emërimit të individëve me rekorde kriminale në politikë, nuk ka folur as për tentativën e kapjes së krimit deri ne nivelet më të larta qeverisëse, e as për fenomenin disa vjeçar të vjedhjes së votës apo fundja të debatojë për dosjet e shumëpërfolura nëpër raporte ndërkombëtarësh (dhe jo vetëm) për blerje votash e bashkëpunim të politikës me krimin…
Bledi Cuçi nuk ka polemizuar për asnjë nga debatet sa më sipër (ndoshta edhe për shkak të detyrave të tij me profil tjetër) për të kuptuar rolin e tij të ardhshëm në krye të Ministrisë së Brendshme…
Zgjedhjet e 25 Prillit janë afër dhe basti më i madh i jetës së tij profesionale do të jetë ajo ditë. Deri atëherë tek ai nuk mund të presim ndonjë surprizë. Eksperienca e ka treguar… / N.P
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




