Drejtësia

BKH, operacion në Shkodër kundër krimeve zgjedhore. Kreu i SPAK, Altin Dumani: Mos neglizhoni denoncimet

Gazeta Si – Agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të mbështetur edhe nga policia, kanë ushtruar mëngjesin e kësaj të enjteje kontrolle dhe janë duke kryer veprime hetimore në disa zona në Shkodër për parandalimin e krimeve zgjedhore.

Kontrolle janë ushtruar në Malësinë e Madhe, Barbullush, Bushat dhe Mjedë dhe sipas burimeve, ka disa persona të ndaluar.

Mësohet se bëhët fjalë për procedimet penale që jane regjistruar nga Prokuroria e Posaçme për krime zgjedhore në Shkodër.

Gjatë operacionit, i pranishëm ishte edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili kryeson ‘Task Forcën’ e ngritur për krimet zgjedhore.

Dumani më pas, u takua në Shkodër me kreun e prokurorisë, drejtorin e policisë së qarkut dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve ligjzbatuese.

Kreu i SPAK, sipas burimeve ka vënë theksin tek zbulimi i krimeve zgjedhore, ku prokuroria ka procedime konkrete.

Bëhet me dije se Dumani ka kërkuar që në rastet kur ka akuza apo deklarata publike për shitblerje vote, personat që bëjnë këto akuza të thirren për të bërë kallëzim në polici dhe prokurori dhe të mos neglizhohen si raste.

Kreu i SPAK kërkoi që policia dhe prokuroria të jenë sa më vigjilente lidhur me krimet zgjedhore në këto ditë të fundit të fushatës elektorale.

Po ashtu, kreu i SPAK ka vlerësuar punën e policisë dhe prokurorisë Shkodër duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me të gjitha strukturat ligjzbatuese.

Më herët, Prokuroria e Posaçme njoftoi se kishte nisur 35 procedime penale, mes të cilave pjesa më e madhe për korrupsion aktiv në zgjedhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë