Diktatori bjellorus, Aleksandar Lukashenko, ditët e fundit në qendër të një krize ndërkombëtare të shkaktuara nga grumbullimi i qindra emigrantëve në kufirin midis Bjellorusisë dhe Polonisë, ka kërcënuar se do të ndërpresë furnizimin e gazit në Evropë përmes gazsjellësit “Yamal-Europe”, nëse “BE zgjeron sanksionet siç premton të bëjë dhe nëse Polonia do të vazhdojë me mbylljen e kufirit.
Lajmi është raportuar nga agjencia ruse e lajmeve “Tass”, që citon nga ana tjetër “Belta Belarusian”. “Ne i sigurojmë ngrohje Evropës shumë më tepër, ata kërcënojnë të mbyllin kufirin. Po sikur të ndërpresim furnizimin me gaz natyror atje?”. tha Lukashenko.
Diktatori i Minskut, akuzohet nga Brukseli - me dëshmi të qarta video të ushtarëve bjellorusë që shoqërojnë linjat e njerëzve në kufi - se ka orkestruar fluksin e emigrantëve që u grumbulluan në kufi për të ushtruar presion dhe destabilizuar Bashkimin Evropian.
Kjo ndodh ndërkohë që vendet anëtare të BE-së kanë gjetur një marrëveshje në parim për të shtrirë kuadrin ligjor të sanksioneve kundër Bjellorusisë ndaj atyre që favorizojnë kontrabandimin e paligjshëm të emigrantëve në Bashkimin Evropian.
Për herë të parë - nga takimi mes Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe kryeministrit polak, Mateusz Morawiecki - kërkesa polake për një mur përgjatë kufirit lindor, nuk konsiderohet më e papranueshme.
Polonia po na kërcënon me mbylljen e kufirit”, tha Lukashenko. “Unë them: bëjeni nëse doni, do të ketë më pak emigrantë që do të vijnë nga këtu. Nuk është ky problemi”, tha ai.
Më pas ai paralajmëroi: “Çfarë ndodh nëse mbyllim furnizimin (e gazit) përmes Bjellorusisë? Nuk mund të kalojë përmes Ukrainës, pasi kufiri rus është i mbyllur atje. Nuk ka rrugë nëpër vendet balltike. Nëse e mbyllim për polakët dhe gjermanët, atëherë çfarë do të ndodhë? Nuk duhet të ndalemi para asgjëje për të mbrojtur sovranitetin dhe pavarësinë tonë”, nënvizoi Lukashenko.
“Ndërsa ne e mbajmë Evropën ngrohtë, ata na kërcënojnë të mbyllim kufirin tonë. Dhe çfarë ndodh nëse bllokojmë furnizimin me gaz për ta? Kështu që unë i këshilloj liderët e Polonisë, Lituanisë dhe të tjerëve pa tru, të mendojnë para se të flasin”, përfundoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.