Drejtësia

Megaoperacioni i SPAK / Biznesmeni Gjoka, Prokurori Lita, ish Shefi i Operacionales Bistri dhe 3 të arrestuarit e tjerë mbeten në burg

Në GJKKO dha masën e sigurisë për personat e arrestuar, si pjesë e një grupi kriminal, në kuadër të një megaoperacioni të kryer nga Policia e Shtetit, ku SPAK lëshoi 15 urdhër-arreste. Por seanca u ndërpre pasi avokatët e tyre kanë kërkuar 2 orë kohë për të lexuar dosjen voluminoze prej 126 faqesh.  GJKKO ka pranuar kërkesën.

GJKKO la në arrest me burg ish-shefin e Forcave Operacionale, Oltion Bistri, ish drejtuesin e Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, ish-policin Ardit Hasanbega dhe biznesmenin Pëllumb Gjoka. Po ashtu masa u dha edhe për Edmond Prekën dhe Astmer Bilalin. Masa në mungesë u dha edhe për personat e shpallur në kërkim, konkretisht për shtetasit; Behar Bajri Brahoviç, Ervis Martinaj, Denis Bajri Brahoviç, Klaudio Haka, Prekë Kodra, Aleks Ndreka, Arsat Bashli, Bardhyl Mavraj si dhe Elion Hato.

Avokati Ylli Manjani, që mbron biznesmenin e arrestuar me urdhër të SPAK, Pëllumb Gjoka, ka mohuar se klienti i tij të jetë përfshirë në ngjarje kriminale.

Në një deklaratë për mediat, Manjani tha se nuk ka prova dhe se Prokuroria është nisur me indicie të policisë.

“Çdo veprim procedural i zotit Gjoka dhe të të tjerëve është se; askush prej tyre nuk është i pandehur. Pra nuk ka as akuza. Sipas ligjit Bolshevik shqiptar, lejohet arresti dhe për peronat nën hetim. Ndaj lejohet kjo gjë. Ne mendojmë në kor dhe dhamë opinion, e gjithë kjo nisi mbi bazën e indiceve policore. Nuk ka përgjime se mbushët dynjanë. Është sikur të hysh në arkivë dhe të vjedhësh të dhëna. Nuk ka asnjë provë se klienti im të ketë përgjime. Nuk është kapur asgjë. Të gjitha këto janë spekulime. Prokuroria ishte e qartë; flitet për persona nën hetim dhe indicie, që janë marrë me letër porosi nga Franca. Letër porositë që kanë ardhur nga Franca, nuk është e qartë, pasi nuk ka aparate të kapura. Të gjitha janë spekulime, mos merrni njerëz në qafë.”, tha Manjani.

Dy ditë më parë SPAK ndërmori një aksion të shtrirë në disa zona të vendit, ku u ushtruan 16 kontrolle në banesa dhe u sekuestruan para, armë, maska e kamera. Ky grup kriminal akuzohet për vrasje, plagosje dhe një sërë krimesh të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë