Biznes

Biznesi shqiptar i bimëve medicinale po ‘përvëlohet’ nga ngrohja globale

Anxhela Celanji & Sabina Veizaj- Besnik Koçi është një sipërmarrës me rëndësi në sektorin e bimëve medicinale.
Nga biseda me të kupton që ky lloj aktiviteti ekonomik nuk bart vetëm shifra të ftohta, por është edhe trashëgimi kulturore dhe shpirtërore.

Besnik Koçi, BIOBES

Nga Këmishtaj e Lushnjës, prej disa brezash familja Koçi prodhonte dhe grumbullonte bimë mjekësore aromatike.

Prej 8 vitesh me BioBes, Koçi ka prekur tregun ndërkombëtar duke eksportuar 85 produkte shqiptare; lule, rrënjë, gjethe e fruta, të cilat në 90% të tyre gjenden në formë të egër (spontane).

Ai bashkëpunon me 35 pika grumbullimi në të gjithë territorin e Shqipërisë, ndër të cilat 5 i ka në zotërim.

Koçi ka investuar gjithashtu në paisje bashkëkohore për linjat e tharjes dhe përpunimit të produkteve në fabrikat e tij.

Megjithëse ai e do sektorin dhe është i kënaqur nga zhvillimi i tij në Shqipëri dhe jashtë kufijëve (bimët mjekësore aromatike BMA është produkti i dytë më i eksportuar Made in Albania), bart me vete një sërë problematikash.

Përpos problematikave që janë në dorë të njeriut, më shpjegon Besnik Koçi, ndryshimet klimaterike globale po ndjehen edhe në vendin tonë, teksa klima ka qenë një favorizues i gjithmonshëm për këtë sektor.

“Ndryshime janë vënë re të paktën pesë vitet e fundit, por ky vit ka qenë fare i çuditshëm. Deri në maj temperaturat kanë qenë të ulta, shumë ftohtë, pastaj thatësirë. Kjo ndikon shumë për disa produkte tonat. Ne pesë pika grumbullimi i kemi në Tepelenë. Aty mbledhim lulen e Blirit se klima e zonës është shumë e favorshme për këtë bimë. Është e përhapur në të gjithë zonën. Më parë teksa mbledhja niste nga maji deri në korrik, 40-90 ditë, me ndryshimet e klimës, këtë vit ne e mblodhëm blirin për 15-20 ditë. Dhe kjo sigurisht që ndikon edhe në aspektin sasior”- më sqaron ai.

Po ashtu, thotë ai e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Sherebelin sepse nuk ka patur rreshje, e për rrjedhojë, sipas tij, kjo situatë reflekton edhe në eksport.

Por sipas biznesmenit dhe profesionistëve të tjerë të sektorit, deri tani nuk është e mundur të matet me shifra ndikimi i klimës në dëmtimin e kësaj veprimtarie, pasi janë edhe faktorë të tjerë nga të cilët sektori kërcënohet, një prej të cilave është emigracioni që ka sjellë si pasojë zbrazjen e fshatrave.

Shqipëria me një sipërfaqe relativisht të vogël, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, bart një potencial shumë të lartë të bimëve mjekësore dhe aromatike. Kushtet e përshtatshme klimateriko-tokësore në të cilat ndodhet Shqipëria kanë mundësuar gjithmonë rritjen e mbi 310 specieve me vlera të larta mjekësore dhe aromatike. Pjesa më e madhe e kapacitetit të BMA-e të Shqipërisë (rreth 90%) gjenden në gjendje spontane (të egër), gjë e cila bën që dhe cilësia e vlerave mjekësore apo aromatike që ato përmbajnë të jetë më e lartë në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

Por ne sipas shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike të Shqipërisë, eksportojmë në botë 170 artikuj.

Filip Gjoka, kreu i Shoqatës së Bimëve Mjekësore Aromatike

Për kreun e shoqatës Filip Gjoka vitet e fundit, por veçanërisht ky vit në të cilin ndodhemi ka qenë jofavorizues për prodhimin e bimëve medicinale, pasi sipas tij, ndryshimet globale klimaterike kanë nisur të reflektohen edhe në vendin tonë.

Sipas tij, ky është një shqetësim duke menduar perspektivën dhe nëse nuk do të ketë reagim të shpejtë dhe të menjëhershëm për klimën në botë.

Por, thotë ai, megjithë problematikat që karakterizojnë sektorin si zbrazja e zonave rurale nga emigracioni, mungesa e subvecioneve, ndryshimi i ligjit që godet sektorin, jo e mbështet, ky sektor ka njohur trend rritës në pesë vitet e fundit.

Sipas të dhënave të INSTAT Shqipëria në vitin 2012 ka eksportuar rreth 9976 ton BMA duke siguruar rreth 25.37 milion USD ose 2.63 miliard lekë. Në atë vit BMA kanë zënë një përqindje të konsiderueshme të eksporteve të produkteve bujqësore shqiptare, rreth 54% të tyre.

Në 2018-ën janë eksportuar rreth 47 mln dollarë BMA, me një rritje gati dy-fish në gjashtë vite. Ndërsa tregu vendas operon në tregtimin e produkteve të BMA-e në gjendje të thatë si çajra për shërimin e disa lloje sëmundjesh, erëzave të kuzhinës, prodhimin e disa vajrave esencial dhe vitet e fundit është nxitur përdorimi në fushën e kozmetikës.

Importi i farave, zgjidhje alternative

Por ka edhe nga ata fermerë të cilët kanë guxuar të sjellin fara të veçanta për t’i rritur në Shqipëri.

Zija Keshi nga Dibra, ka lënë Italinë për të ardhur në Shqipëri, duke u kujdesur për bimët medicinale, si Aronia nga Amerika dhe Goji –Berry nga Kina. Keshi shprehet për Gazetën “Si” se këto fruta janë përshtatur shumë mirë me klimën në vendin tonë dhe toka ka rezultuar shumë e përshtatshme për rritjen masive të tyre.

Zija Keshi kultivues i frutave medicinale

“Kam 6 vite që kultivoj këto dy fruta dhe i kam kushtuar shumë rëndësi pjesës teknike që duhet për të mbajtur në jetë aronia dhe goji-berrin, të cilët janë dy antioksidantë shumë të mirë për organizmin. Frutat mund të përdoren në tre mënyra: mund t’i përdorsh frutë siç janë, duke i ruajtur në ngrirje edhe në stinën e dimrit, por edhe duke i tharë e t’i përdorni më pas si çaj,” shprehet Keshi.

Fermeri tregon se për shkak të përshtatjes së mirë të këtyre frutave ai mendon të shtojë edhe 6 plantacione të tjera, pasi është edhe prodhues fidani. Ai është çertifikuar prej kohësh nga Institutet shqiptare dhe gjatë këtij viti është çertifikuar nga Instituti i Prodhimeve Organike dhe bio të Komitetit Europian.

“Këto kultura që unë kultivoj, duhet të mbrohen shumë nga kushtet atmosferike. Për shembull breshëri vitin e kaluar për 9 minuta më shkaktoi 2 ton dëm, ndërsa këtë vit nuk pata asnjë problem me kushtet atmosferike, por në vendin tonë janë të pakta mundësitë që t’i krijojmë mbrojtje bimëve,” shprehet Keshi.

Ai tregon se Aronia kalon në dy faza pjekje, në korrik kur ka fazën e parë dhe gjatë kësaj kohe duhet të kujdeset më shumë për frutin dhe në fund të gushtit kur ka fazën përfundimtare. Ndërsa Goji-berry prodhon frutin katër herë në vit, që nga fillimi i shtatorit deri në janar. Ai shprehet se kultivimi i këtyre frutave është prej vitesh, por ka edhe shumë gjëra teknike që ndikojnë në mbarëvajtjen e prodhimit.

“Mirëmbajtja, kujdesi i spërkatjeve dhe ujitjeve ka shumë rëndësi. Nëse nuk dimë si ta mirëmbajmë një produkt, nuk dimë si ta trajtojmë atëherë doemos do të dështosh. Unë po bëj shtatë vjet dhe kam dështuar, jam përmirësuar dhe deri më tani kam arritur vetëm 80 përqind të kushteve që kërkojnë këto fruta” thotë Keshi.

Ai shton gjithashtu se këtë vit ka eksperimentuar edhe me boronicën blu-berry që është varietet i vendit tonë dhe është përshtatur shumë mirë në zonën e Maqellarës ku ai kryen veprimtarinë e tij. Keshi tregon se fatëmirësisht tek kjo bimë shumë e shitur nuk kanë ndikuar shumë ndryshimet klimaterike dhe fruti është pjekur në kohë, duke marrë kështu frute të mjaftueshëm.

Raporti

Raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për monitorimin e biodiversitetit në Shqipëri, i siguruar nga Gazeta “Si”, thotë se vendi ynë ka tokë të përshtatshme dhe të sigurt për aktivitet bujqësor. Të dhënat konfirmojnë përshtatshmërinë e tokave për një shumëllojshmëri kulturash në vartësi dhe të kushteve klimaterike. Por gjithashtu, fermerët duhet të tregohen të kujdesshëm për bimët që mbjellin dhe sasinë e tyre, duke mos ndikuar kështu në degradimin e tokës në një të ardhme.

Të dhënat tregojnë se rrezikojmë të humbim disa bimë aromatiko–mjekësore të shpërndara në të gjithë territorin e vendit tonë, si:

Salep, (Orchis. Ssp) dhe Xhirokull, (Calchicum automnale) në qarkun e Gjirokastrës (Këlcyrë dhe Përmet) në qarkun e Vlorës ( Vlorë dhe Delvinë) dhe në Durrës

Boronica ( Vaçinium nigrillus) në qarkun Kukës (Kukës dhe Tropojë) dhe Dibër (Bulqizë).

Çaji i Malit ne Korçë (Prespe) dhe Gjirokastër (Dropull)

Sherbelës (Salvia officinalis) në qarkun Gjirokastër, Vlorë, Shkodër, Korçë (bashkia Kolonjë) dhe në qarkun Dibër (Bashkia Bulqizë).

Sipas vëzhgimeve impaktet negative të shkaktuara si nga katastrofat e ndryshme natyrore apo nga faktori “njeri” mbi bimësinë aromatiko-mjekësore, nuk shkaktohen vetëm në fushën e biodiversitetit dhe mjedisit natyror, por edhe në fushën e ekonomisë, pasi siç dihet eksportimi i bimëve aromatiko-mjekësore luan një rol mjaft të madh dhe sjell të ardhura për një pjesë të popullsisë dhe të ekonomisë së vendit. Nisur nga rezultatet e monitorimit të bimëve aromatiko-mjekësore të kryer gjatë vitit 2018, ekspertët kanë arritur në konkluzionin se kjo kategori e bimëve me interes si biologjik ashtu dhe ekonomik, janë nën një presion të vazhdueshëm deri në kërcënim zhdukjeje.

Arsenali më i madh i shtrirjes së bimëve medicinal aromatike ndodhet në pjesën e Alpeve Shqiptare (Tropojë, Shkodër, Pukë, Kukës, etj), malin e Korabit (Dibër), vargmalin e Skënderbeut (Mat, Krujë, Tiranë), vargmalin Trebeshinë-Dhëmbël-Nemërçë (Gjirokastër, Përmet, Tepelenë, etj), malësinë e Mokrës (Pogradec, Korçë), Gramoz (Ersekë), Tomorr (Berat), etj.

Ndërsa kultivimi i BMA-e ka ardhur vazhdimisht në rritje dhe zonat me sipërfaqe më të madhe të kultivimit të BMA-e janë në Malësinë e Madhe, Kukës, Vlorë, Korçë, Gjirokastër,
Sarandë, etj.

Aktiviteti i mbledhjes, grumbullimit, përpunimit dhe eksportimit të BMA-e ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm në gjenerimin e një përqindje të konsiderueshme të ardhurash në zonat rurale të Shqipërisë. Për këtë arsye ky aktivitet është ushtruar vazhdimisht në Shqipëri si para vitit 1990 ashtu dhe në ditët e sotme. Tregu kryesor i shitjes së BMA-e është tregu i huaj, por një vend të rëndësishëm zë edhe tregu i brendshëm.
.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë