Biznesi mendon se programi ekonomik bujar sipas tyre i PD-së është i realizueshëm nëse do të ketë me të vërtetë vullnet për realizimin e tij.
Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë thotë se “PD erdhi në pushtet me taksën e sheshtë 10% teksa ekonomia informale ishte 50%. Tani ofron taksën 9% ndërkohë që informaliteti është në masën 60%. Paratë janë aty brenda edhe sikur fatura financiare e implementimit të këtij programi ekonomik të jetë 600 mld lekë. Duhet vullnet për të luftuar korrupsionin dhe përmirësuar klimën e biznesit. Ne e dimë të gjithë se si bëhet bzines në Shqipëri. Duhet vullnet për të rritur efiçencën dhe efikasitetin e mbledhjes së të ardhurave, por të ardhurat aty janë”- thotë Nikolin Jaka për gazetën “Si”.
Sipas tij motorrët e ekonomisë shqiptare janë turizmi dhe bujqësia dhe çdo qeveri që vjen në pushtet, aty duhet të fokusohet.
“Bujqësia ka peshën sa 22% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por fermerët shqiptarë stërmundohen që ta shesin prodhinimin e tyre, në pjesën më të madhe të kohës nën kosto. Ndërsa mburremi me eksportet dhe fermerët janë lënë në mëshirë të fatit. Duhen incentiva për të fuqizuar turizmin dhe bujqësinë”- thotë Jaka, i cili bën me dije se javën e ardhshme Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka një takim me kreun e PD-së Lulëzim Basha.
Biznesi i vogël shpreson te Basha
Për biznesin e vogël programi ekonomik i PD-së është optimist dhe i realizueshëm.
“Ne jemi bashkëhartues të programit. Janë marrë në konsideratë 80% të kërkesave tona dhe ky program ka në fokus biznesin e vogël dhe të mesëm. Është një program shumë i realizueshëm dhe që ne besojmë që ekonomia, biznesi dhe të punësuarit do të kenë përfitime të drejtpërdrejta ose të tërthorta për bizneset, familjet dhe të punësuarit .E përshëndesim, vlerësojmë dhe mbështesim fort që ky program të realizohet mbas 25 Prillit 2021. Taksa e sheshtë 9% është e realizueshme dhe lehtësim i barrës fiskale të biznesit .Ky program do të ulë çmimin e energjisë për biznesi dhe jemi ndër vendet me çmim më të lartë për këtë jo vetëm në rajon por edhe më tej.”- shprehet Albert Nikolla nga biznesi I vogël.
PD në përballjen elektorale për zgjedhjet e prillit 2021 në shpalosjen e programit ekonomik ka deklaruar taksë të sheshtë 9%, rritje pesnionesh me 5%, pagat e mjekëve 1200 euro, infermierëve 700 euro, etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.