Nga Gazeta 'SI' - Sektori shtetëror dështoi sërish për të tërhequr sektorin privat në rrugëtimin e rritjes së pagave.
INSTAT tregon se paga mesatare bruto në Shqipëri u rrit me 8.6% në 77.669 lekë, por kjo pë shkak të rritjes së pagave në shtet.
Paga në administratën publike është rritur nga 85.901 lekë në 96.856 lekë në raport tremujorësh. Paga në privat, për të njëjtën periudhë është ulur nga 70.430 në 69.534 lekë.
Të ndarë sipas aktiviteteve ekonomike, paga për punonjësit në sektorin privat ka “ngrirë”, përveç se në aktivitetin e informacionit dhe atë financiar ku ka rezultuar me rënie. Gjithsesi këto dy fusha ofrojnë pagat më të larta në treg.
Për punonjësit e shtetit, profesionistët e arsimit të lartë dhe forcat e armatosura kanë pasur rritjen më të madhe të pagës.
Sipas qeverisë, në korrik u finalizua reforma e pagës ‘900 euro’.
Në fillim të vitit 2023, një nismë e qeverisë për të rritur pagat në administratë ndikoi në rritjen e pagës mesatare bruto. Qeveria synonte që me rritjen e pagës në shtet do të ushtronte presion dhe për atë në privat, por nuk rezultoi kështu.
Ekspertët e fushës shpesh kanë analizuar se rritja e pagës me urdhër, pa rritje të produktivitetit mund të kthehet në një bumerang për financat e Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.