Në analizën tremujore të aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë, norma vjetore e rritjes së kredisë për ndërtim në tremujorin e parë ishte 14% ndërsa për industrinë rritja arriti në 10.%
Kjo rritje ka kompesuar tkurrjen e kredisë për sektorin e bujqësisë dhe atë të tregtisë dhe shërbimeve.
Në krahasim me një vit më parë, normat e rritjes së kredisë për dy sektorët e fundit janë ngadalësuar në përkatësisht 6% dhe 7%.
Banka e Shqipërisë vlerëson se kredia për biznese vijon të ndjekë një trajektore rritëse, e mbështetur nga kreditimi në lekë i bizneseve dhe kredia për investime. Norma vjetore e rritjes gjatë tremujorit të parë ishte 8.2%, rreth 1.1 pikë përqindje më e lartë se një tremujor më parë.
Ashtu siç ishte vërejtur edhe gjatë vitit 2020, duket se biznesi po merr kredi kryesisht për investime e cila u rrit 11.8% me bazë vjetore.
Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, rritja ka ardhur nga kreditimi i biznesit të madh, ndërsa bankat janë shfaqur më hezituese në kreditimin e bizneseve të vogla dhe të mesme.
Kreditimi i biznesit të madh shfaqet në përmirësim dhe rritja vjetore e kredisë për këtë segment u përshpejtua në rreth 11%.
Interesi mesatar i kredisë për biznesin rezultoi mesatarisht 5.8%, nga 5.6% dhe 5.3% që ishte përkatësisht në tremujorin e katërt dhe atë të tretë të vitit të kaluar.
Sipas BSH, rritja e normave të interesit, e vërejtur gradualisht prej muajit gusht 2020, reflekton ndikimin e dy faktorëve kryesorë.
I pari është ndikimi i skemave të garancisë sovrane i cili ka ardhur në rënie.
Së dyti, bankat kanë raportuar vazhdimisht për kushte të shtrënguara kreditimi për bizneset gjatë tremujorëve të fundit, ku ndër faktorët kryesorë është edhe shqetësimi për situatën financiare të bizneseve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



