Ministria e Financave ende nuk ka zgjidhur me drejtoritë rajonale të tatimeve zhbllokimin e llogarive të bizneseve që sipas tyre janë në zgrip mbijetese.
Ata thonë se kriza që po përjetojnë si shkak I pandemisë globale, e tejkalon atë të 1997 që përjetoi biznesi dhe krizën ekonomiko-financiare botërore 2008-2009 që në Shqipëri mbërriti do më vonë.
Pro Export Albanians, shoqatës që mbron të drejtat e kompanive fason, iu janë bashkëngjitur dhe shoqatat e tjera të biznesit në shqetësimin e madh të përbashkët në lidhje me bllokimin e llogarive të kompanive.
“Ministria e Financave në përgjigje të letrës së parë na kërkoi emrat e kompanive me probleme që të vepronte në bazë selektive. Edhe pse ne I dhamë disa emra, situate nuk ka ndryshuar, por çështja nuk është të zgjidhet problemi në mënyrë selektive. Bizneset, një pjesë e mirë e tyre janë në prag falimentimi, shumë të tjerë janë në zgrip mbijetese, dhe nuk bëhet fjalë vetëm për biznesin fason, por për të gjithë sektorët. Urdhri nga financat drejt drejtorive rajonale të tatimeve duhet të jetë I menjëhershëm dhe për të gjithë bizneset. Nuk ka nevojë për emra që bizneset mandej të kenë probleme si me tatimet, ashtu edhe me partnerët në biznes”, shprehet Florian Zekja nga Pro Export Albania.
Ditën e sotme, (të premten) shoqata i ka dërguar një tjetër letër Ministrisë së Financave.
“Ju bëjmë me dije se Drejtoritë Rajonale të Tatimeve, Doganat, OSSHE dhe Drejtorite e taksave vendore të Bashkive, po mbledhin gjobat dhe interesat e sistemit të gjeneruara nga Marsi 2020, pra në Periudhën e Pandemisë ose Vitin e Luftës, siç e cilëson me të drejtë Kryeministri. Për ne dhe për pjesën dërrmuese të shoqatave të tjera të biznesit (mendimin e të cilave e kemi marrë) ky është një veprim absurd. Nga informacionet që kemi, mbledhja e gjobave, kamatëvonesave dhe interesave të tjera të gjeneruara automatikisht nga sistemi tatimor për vitin 2020 nuk po realizohet në asnjë nga vendet e tjera të rajonit, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, sikurse as edhe në Itali. Gjykojmë se është veprim krejtesisht i pavend, që në kohë lufte, të sillemi si në një periudhë normale me sipërmarrjet e vendit, të cilat po kalojnë periudhën më të vështirë që nga Marsi I vitit 1997 dhe janë në përpjekje për mbijetesë. Të lihet një hapësirë kohore, mbas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme të pandemisë, që bizneset të rimarrin aktivitetin në pikën ku ishin.”- citon letra drejtuar Ministrisë së Financave.
Pro Export Albania propozon faljen e të gjitha gjobave, kamatëvonesave dhe interesave të gjeneruara automatikisht nga sistemet për të gjithë Periudhën e Pandemisë, e cila po vijon, deri në shpalljen nga Qeveria të mbarimit të Periudhës së Emergjencës.
Gjithashtu shoqata e biznesit fason kërkon moskryerjen e kontrolleve të thelluara pranë sipërmarrjeve, derisa Ministria e Shëndetësisë të deklarojë Mbarimin e Pandemisë.
Zekja bën me dije se shumë shpejt do të ketë një konferencë të përbashkët të të gjithë përfaqësuesëve të shoqatave të biznesit në vend për të adresuar këtë problematikë të thekshme në një kohë jo normale sipas tij dhe problematika të tjera që po përjeton aktualisht biznesi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.