Taksa

Bizneset thirrje Kushtetueses: Hiqni taksën e strehimit social, rëndon kompanitë dhe klientët

Bizneset në Shqipëri kanë risjellë në vëmendje shqetësimin ndaj një ligji të miratuar 2 vite më parë ku ato duhet të lironin 3% të sipërfaqes së tyre që bashkitë t’i shfrytëzonin për personat e pastrehë, si pjesë e programit social.

Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, Dhoma Shqiptare e Tregtisë, “Biznes Albania” dhe Unioni i Bashkimit të dhomave të tregtisë, në një konferencë për shtyp kërkuan rishikimin e këtij ligji, i cili sipas tyre ishte i njëanshëm dhe arbitrar. Sipas tyre, ligji do të rrisë çmimin për metër kator dhe do të rëndojë në koston finale për konsumatorin.

Komuniteti i biznesit i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese që ta shfuqizojë këtë ligj, pasi është më e drejtë që ndihmën për familjet e pastreha ta japin të gjithë tatimpaguesit shqiptarë.

Neni 19 i ligjit në fjalë detyron ndërtuesit privatë që aplikojnë për leje ndërtimi që për ndërtime me sipërfaqe ndërtimore banimi mbi 2 mijë metra katrorë, të kalojnë pa shpërblim të paktën 3 për qind të sipërfaqes funksionale për ndërtim, me qëllim që kjo e fundit t’i kalojë në përdorim apo pronësi për nevoja strehimi njerëzve në nevojë, ose thënë ndryshe të kalojë në pronësi të Bashkisë, jo më pak se 60 metra katrorë sipërfaqe funksionale me destinacion banimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë