Pas njoftimit nga Komiteti i Ekspertëve për shtyrjen e orës policore nga 22.00 në 23.00, baret dhe restorantet kanë ngelur të pakënaqur.
Një ndër baret më me emër në Tiranë, menaxheri i të cilit foli për Gazetën “Si” duke kërkuar të mos i përmendet emri, thotë se ata janë të zhgënjyer nga ky “lehtësim” masash.
“Pritshmëritë ishin më të mëdha se 1 orë. Nuk është se ka shumë ndryshim vetëm një orë, për më tepër ne vazhdojmë të jemi me staf të reduktuar. Situata vazhdon të jetë në dëmin tonë dhe në uljet e pagesave të punëtorëve, ndërkohë që shpenzimet janë më të mëdha”, u shpreh ai për Gazetën “Si”.
Zhgënjimin e konfirmon edhe kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahja, kontaktuar nga “Si”; sidomos për ndalimin e muzikës pas orës 22.00.
“Komenti ynë do të ishte paradoksal për një veprim paradoksal”, thotë z.Jahja teksa tregon me ironi një video të kryeministrit Edi Rama duke folur mbi hapjen totale të bareve, restoranteve e hoteleve gjatë sezonit turistik. “Ky është komenti më i mirë”, thotë z.Jahja për Gazetën “Si”.
Një tjetër menaxher, i një bar-kafeje në kryeqytet, thotë se për ta nuk do të ketë asnjë ndryshim. “Masat nuk do të sjellin ndryshimin që bar-restorantet prisnin. Kjo po ndodh vetëm në Tiranë sepse të gjithë e dimë se si gjërat ndryshojnë jashtë kryeqytetit, sidomos në Jug”, u shpreh ai. Ndërsa çështjen e ndalimit të muzikës pas orës 22.00, edhe ai e komenton si qesharake.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.