Para

Bizneset, nevojë për para. Dyfishohet kërkesa për kredi krahasuar me 3 mujorin e parë

Bllokimi i aktivitetit ekonomik për shkak të izolimit për të parandaluar infektimet me COVID-19 rrënoi bizneset dhe i la ata në dëshpërim për likuditet.

Këtë e konfirmojnë të dhënat e Bankës së Shqipërisë nga  raporti i Politikës Monetare për tremujroin e dytë të vitit.

Pas tkurrje të kërkesës për kredi nga ana e bizneseve tremujorin e parë dhe shtrëngim të kritereve dhe ofertës nga ana e bankave për shkak të krizës, të dhënat zyrtare të BSH-së tregojnë se kërkesa e bizneseve për kredi për likuiditet shënoi një rritje vjetore prej 5.3%, normë kjo rreth dy herë më e lartë se në tremujorin paraardhës.

Pra, kredia për biznese është rritur me 7.3% krahasuar me një vit më parë, normë kjo 0.5 pikë përqindje më e lartë se në tremujorin e parë. Nga ana tjetër, portofoli i kredisë për investime ka shfaqur ngadalësim të ritmeve të rritjes në mesatarisht 8.6% (1.2 pikë përqindje më poshtë se një tremujor më parë).

Kredia për sektorin privat është rritur me rreth 6.8% në tremujorin e dytë të vitit 2020, normë kjo e ngjashme me atë të shënuar një tremujor më parë. Ruajtja e ritmeve të rritjes, shpjegon BSH, është ndikuar nga masat e marra nga autoritetet monetare dhe fiskale për të mbështetur kreditimin e bizneseve në kushtet e vështira ekonomike të krijuara nga pandemia. Nga njëra anë, citon ajo në  raport, shtyrja e pagesës së kësteve ka ndihmuar në uljen e ndjeshme të amortizimit të portofolit të kredisë, duke kontribuar me 70% në rritjen tremujore të portofolit. Nga ana tjetër, funksionimi i skemës së parë të garancisë sovrane dhe fillimi i zbatimit të skemës së dytë kanë ndihmuar procesin e kredidhënies.

Në muajin qershor, kreditë e disbursuara ishin rreth 15% më të larta se një vit më parë, duke ndryshuar tendencën tkurrëse të vërejtur në muajt e parë të pandemisë. Këta faktorë kanë ndikuar veçanërisht në rritjen e kredisë për biznese dhe në përmirësimin e normave të rritjes së kredisë në lekë në 10.3% (krahasuar me 10.1% në T1). Të dy këto portofole janë ndihmuar edhe nga lehtësimi i mëtejshëm i kushteve monetare si pasojë e masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë.

Kriteret

Situata e paprecedentë nga pandemia globale ka rritur nivelin e perceptimit të rrezikut nga ana e bankave, duke i shtyrë ato të aplikojnë kushte e terma më të shtrënguara mbi kreditë e reja akorduar bizneseve në tremujorin e dytë. Shtrëngimi i kushteve joçmim u shpreh më së shumti në aprovim të kredisë në një madhësi më të ulët sesa ajo e kërkuar prej bizneseve, si edhe në kërkesa më të larta për kolateral nga ana e bankave, në raport me kredinë e marrë.

Moratoriumi i kredive

Sipas të dhënave të raportuara nga bankat, vihet re se nga masa e BSH-së për të rikonstruktuar kreditë ekzistuese si pasojë e krizës së shkaktuar nga COVID-19, kanë përfituar më shumë bizneset. Në veçanti, janë shtyrë këstet e kredive të bizneseve që operojnë në sektorin e shërbimeve dhe atë të turizmit, të cilët janë dhe sektorët me rënien më të madhe të aktivitetit ekonomik gjatë kësaj periudhe. Sipas monedhës, vihet re se ajo është përdorur më shumë për kredinë në valutë, veçanërisht për atë në euro. Vlerësimet e BSH-së tregojnë se ndikimi financiar i kësaj mase është rreth 23.3 miliardë lekë likuiditet të çliruar për bizneset, ose rreth 11% e fondit të pagave që paguajnë bizneset gjatë një viti.

Nga ana tjetër, prezantimi i skemave të garancisë sovrane si një nga masat e marra nga qeveria kërkon të adresojë si stepjen e bankave për të dhënë kredi dhe marrë përsipër rrezik, ashtu dhe dekurajimin e bizneseve për të kërkuar kredi në kushtet e tkurrjes së aktivitetit nga gjendja e pandemisë.

Normat e interesit të depozitave  dhe kredive

Normat e interesave të kredisë në lekë kanë shënuar rënie në tremujorin e dytë të vitit. Kjo ecuri, thotë BSH, është diktuar nga lehtësimi i politikës monetare - ulja e normës bazë dhe niveli i bollshëm i likuiditetit në treg – si dhe nga skemat mbështetëse të kreditimit të ofruara nga qeveria. Ndikimi i këtyre politikave evidentohet veçanërisht përballë interesit të pandryshuar të kreditimit në valutë të ekonomisë. Interesi mesatar për kredinë e re në lekë dhënë biznesit në tremujorin e dytë rezultoi 5.1%, duke rënë nga niveli 5.5% i shënuar në tremujorin e parë të vitit dhe nga mesatarja prej 6.0% e vitit të kaluar. Dinamika mujore tregon se interesat e kredisë janë ulur kryesisht në muajin maj.

Krahasuar me tre muajt e parë të vitit, interesat e kredisë janë ulur tek kreditë me madhësi deri në 35 milionë lekë dhe ato me madhësi 35 deri 140 milionë lekë. Ndërkohë, interesat e aplikuara për kreditë e mëdha (mbi 140 milionë lekë) përgjithësisht gjenden në nivel më të lartë dhe kanë shfaqur rritje që prej muajit janar. Interesi i kredisë me maturitet mbi një vit, i cili përafron kredinë për investime, regjistroi rënie të theksuar, veçanërisht në muajin maj.

Diferencat mes interesave të kredisë në lekë dhe atyre në euro janë ngushtuar, duke reflektuar kryesisht uljen e interesave të kredisë në lekë.

Interesi mesatar i kredisë së re në euro për bizneset në tremujorin e dytë ka rezultuar i njëjtë me tremujorin e parë, në 5.3%, si dhe afër mesatares së vitit të kaluar 5.1%. Ashtu si në rastin e kredisë në lekë, interesat e kredisë për shuma mbi 140 milionë lekë kanë shfaqur rritje në këtë pjesë të vitit.

Kurse për depozitat e reja, interesi mesatar me afat në lekë në këtë tremujor rezultoi 0.57%, nga 0.61% që ishte në tremujorin e parë dhe 0.68% për vitin e kaluar. Interesat e depozitave kanë vijuar të regjistrojnë ulje margjinale në çdo muaj. Interesat e depozitave janë ulur kryesisht tek maturiteti deri në një vit. Interesi mesatar për depozitat e reja me afat në euro ka shënuar 0.14% këtë muaj, duke qenë në nivele minimale prej shumë muajsh tashmë. Këta dy muajt e fundit është vërejtur një rritje margjinale e interesave tek maturiteti mbi një vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë