Biznes

Bizneset shqiptare nuk duan t’ia dinë për uljen e çmimeve roaming në Ballkan

Nga 1 korriku 2019 ne kemi nisur të paguajmë çmime më të ulta të shërbimeve roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo do të thotë që, nëse ti shkon në Kosovë, paguan 0,05 EURO për minutë, 0,02 EURO për SMS dhe 0,025 EURO për megabajt të përdorur.

Pra, mesatarisht, çmimet për thirrjet dalëse kanë rënë deri në 65%, ndërsa për internet deri në 78%. Në disa raste, këto ulje shkojnë deri në 99%.

Në bazë të një marrëveshjeje të miratuar për reduktimin e çmimit të shërbimeve roaming në rrjetet publike të komunikimit celular në rajonin e Ballkanit Perëndimor, mendohet që ulja të vazhdojë deri sa çmimet e shërbimeve roaming të barazohen me çmimet e shërbimeve të telefonisë celulare të vendit ku bujtim.

Po a e kanë ndjerë bizneset ndryshimin në çmimet roaming?

Sipas një raporti që ka pasur për synim matjen e impaktit të uljes së çmimeve roaming tek bizneset në rajonin e Ballkanit dhe Europës Juglindore, bizneset shqiptare rezultojnë më indiferentët.

Balkan Barometër është një studim vjetor i opinionit publik dhe besimit të biznesit në gjashtë ekonomi të Ballkanit Perëndimor, i financuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RÇ), i cili ka për qëllim të analizojë aspiratat dhe pritshmëritë për jetën dhe punën, tendencat e përhapura socio-ekonomike dhe politike dhe integrimin rajonal dhe europian.
Referuar raportit, 48% e bizneseve shqiptare kanë deklaruar se heqja e tarifave të roaming nuk do të ketë impakt në aktivitetin e tyre. 20% e tyre kanë deklaruar se do të kishte një impak të moderuar, kurse 30% u përgjigjën se do të kishte impakt pozitiv, të cilët konsiderohen niveli më i ulët në rajon me këtë ndjeshmëri pozitive.

Por, heqja e tarifave të roamingut të telefonisë së lëvizshme do tu vinte në ndihmë pjesës më të madhe të bizneseve të rajonit të Europës Juglindore. Bizneset që janë përgjigjur se e gjejnë të dobishme heqjen e tarifave roaming rezultojnë 70%, me rritje nga 2017-të (56%).
Heqja e roamingut mes shteteve rezulton të jetë më e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut. Më shumë se gjysma e drejtuesve të bizneseve atje (56%) e kanë cilësuar atë jashtëzakonisht të dobishme këtë hap. Edhe ekonomitë e tjera të EJL, njohin përfitimet konkrete nga kjo nismë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë