Biznes

Bizneset shqiptare hasin vështirësi në kredimarrje/ Preferojnë bankat, por sigurojnë edhe burime alternative

Nga Gazeta ‘SI’ – Në një anketë të kryer nga Banka e Shqipërisë gjashtëmujorin e dytë të 2024-s, bizneset shqiptare deklarojnë se banka është burimi i tyre kryesor i financimit, në 90% të rasteve.

Për 5% të të anketuarve burimet janë joformale si persona, kompani të tjera apo mall i papaaguar. Rreth 4% kanë përdorur një kombinim burimesh formale dhe joformale.

Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, huaja formale është përdorur nga 87% e ndërmarrjeve të vogla 94% e ndërmarrjeve të mesme dhe në 90% e ndërmarrjeve të mëdha.

Gjithsesi, bizneset shqiptare janë shpesh të pasigurta për financimin e tyre nga banka dhe 38% e tyre kanë një “burim alternativ” financimi, në rast se banka nuk pranon aplikimin.

Indeksi i vështirësisë së procesit të huamarrjes nga bankat, për periudhën, ka rezultuar 0.36 për totalin e ndërmarrjeve, duke shënuar rënie krahasuar me periudhën paraardhëse si dhe krahasuar me një vit më parë. Ky indeks vijon të mbetet midis nivelit “normal” dhe “i vështirë”, për të tri grupet e ndërmarrjeve.

Për bizneset vlerësohet si “vështirësi” procesi i kreditimit dhe procedurat burokratike të bankave, si edhe kushtet e garantimit të kredisë, duke i bërë ata jo shumë të tërhequr nga ky burim.

Përballimi i shpenzimeve afatshkurtra dhe kryerja e një investimi afatgjatë janë arsyet kryesore të huamarrjes së bizneseve.

Sipas monedhës, huamarrja në lekë vijon të ketë peshën kryesore në huamarrjen e ndërmarrjeve. Kështu, në 48% të rasteve, ndërmarrjet kanë deklaruar se huamarrja e tyre është në lekë, në 42% të rasteve në valutë (euro dhe/ose dollar amerikan) dhe në 10% të rasteve huamarrja është e kombinuar (lekë dhe valutë).

Rreth 79% e ndërmarrjeve raportojnë se vlera totale e huasë rezulton afërsisht sa gjysma e kapitalit të ndërmarrjes, 14% deklarojnë se është pothuaj e njëjtë me vlerën e kapitalit dhe rreth 7% deklarojnë që kjo vlerë e tejkalon atë të kapitalit, duke rezultuar kështu në një raport mesatar hua/kapital prej 88%.

Indeksi i vlerësimit të planifikimit të huamarrjes për gjashtëmujorin e ardhshëm rezulton në nivelin 0.43 për totalin e ndërmarrjeve, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe ndaj një viti më parë. Kjo rritje ka ardhur nga grupet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mëdha, ndërkohë që për ndërmarrjet e mesme ky tregues ka shënuar një rënie të lehtë. Ecuria e indeksit parashikon një rritje të përmbajtur të kërkesës për kredi gjatë pjesës së parë të vitit 2025, të drejtuar kryesisht nga ndërmarrjet e vogla dhe të mëdha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë