Biznes

Kriza energjitike/ Bizneset: 10 kërkesa qeverisë. Paralajmërojnë rritjen e bukës

Shoqatat e biznesit në vend kanë shtruar 10 kërkesa për qeverinë e lidhur me krizën energjitike dhe çmimet në rritje që po i dëmtojnë ato. Në kërkesa, shoqatat duan që të  përfshihet heqja e limitit të energjisë së rinovueshme për vetëkonsum. Trajtimi i tyre si konsumatorët e tjerë dhe të ketë rimbursime nga shteti.

Sipas tyre, kërcënimi është i madh njësoj si kostoja. Kreu i Shoqatës Agro-Ushqimore Industriale, Theodhor Kristuli paralajmëroi një rritje edhe në çmimin e bukës, ndikuar nga kriza në dy vendet kryesore të importit të grurit në Shqipëri.

Shoqatat thanë se shpenzimet për energjinë elektrike po zënë 20-40% të kostos totale të prodhimit dhe kjo mund t’i çojë bizneset drejt kolapsit. 

Më me detaje, 10 kërkesat e shoqatave janë, data e saktë se kur do të jetë funksionale Bursa e Energjisë, heqja e kufizimit ligjor prej 0.5 mw të energjisë së rinovueshme për vetëkonsum dhe të jetë sa kapaciteti i instaluar i operatorit.

Energjia që konsumohet dhe emetohet nga bizneset të tarifohet në bazë vjetore.

Qeveria të mundësojë trajtimin e njëjtë si konsumatorët e tjerë për prodhuesit ushqimorë që furnizohen me 35 dhe 110 kv (që janë në treg të lirë). Të furnizohen direkt nga OSHEE ose të kompensohen njësoj. Instrument financiar nga qeveria për t’i ofruar atyre të njëjtat kushte si konsumatorët në linjat 6, 10, 20 kv.

Të garantohen parametrat e cilësisë së furnizimit me energji elektrike/sipas standardeve të BE-se, evitimi i ndërprerjeve të shpeshta të furnizimit, veçanërisht luhatjet e tensionit të rrjetit të cilat janë mbi normat teknike të lejuara nga teknologjitë, makineritë dhe pajisjet e instaluara në biznese.

Të stimulohen investimet dhe në Hidrocentrale duke përdorur potencialin e disponueshëm në vend të barabartë me 800/ 1000 Mwp.

Investimet në prodhimin e energjive të rinovueshme për vetëkonsum, të financohen 50% me kontributin e qeverisë dhe të mbulohen financimet me kredi 100% e vlerës së investimit nga garancia sovrane.

Shoqatat njëzëri, sugjerojnë që për këto kërkesa të ngrihen grupe pune me ekspertë nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, e Financave dhe përfaqësues të Biznesit.

Qeveria ka kohë deri më 10 mars 2022 për të reaguar ose shoqatat do të shpalosin agjendën e tyre për reagim. Në takim ishin të gjitha shoqatat e biznesit në vend si, Dhoma  e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Shoqatat e biznesit; Bashkimi i Prodhuesve Shqiptar, Qendra e Eksporteve Shqiptare, Bashkimi Tregtar i Shqipërisë,  Shoqata e Konvertuesve të Plastikës, Dhoma Italiane në Shqipëri, Unioni Tregtar Agroushqimor dhe Industrial, Shoqata “Industria e Përpunimit të Qumështit”, Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë . 

Bizneset e mëdha janë tashmë pjesë e liberalizimit të pjesshëm dhe mund të marrin energji direkt nga kompanitë publike me çmime preferenciale.

Kjo nismë u propozua nga qeveria duke shpresuar se kështu do të nxitet ulja e çmimit të energjisë, të paktën deri në qershor 2022 dhe më pas bizneset mund të jenë plotësisht në treg të lirë.

Ndërkohë bizneset e tjera që kanë dalë më herët në tregun e lirë siç janë ato në 35 kilovolt po vazhdojnë të furnizohen me çmimet reale që rezultojnë nga ankandet të cilat janë më të larta, mbi 30 lekë/kwh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë