Politike

Bizneset “mashtruese”, Europa nuk përdor pranga

Vendet e zhvilluara me ekonomi tregu të lirë, konkurruese dhe të konsoliduar, përveç mekanizmave kontrolluese ndaj çdo përpjekjeje për t’u shmangur taksave nga biznesi, kanë të zhvilluara edhe mekanizmat ndëshkuese ndaj atyre që devijojnë nga detyrimet ligjore.

Në vende të ndryshme, mekanizmat funksionojnë ndryshe, por e përbashkëta, sidomos në pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Europian, aty ku shpresojmë të anëtarësohemi një ditë, është parashikimi i dënimit me burg si zgjidhje e fundit dhe për vepra të rënda financiare, të cilat cenojnë drejpërdrejtë xhepin e qytetarëve, punëmarrësve, apo partnerëve të një kompanie.

Në vend të arrestimit me bujë të pronarëve, apo administratorëve të kompanive, autoritetet ligjzbatuese në Perëndim zgjedhin që të hetojnë larg vëmendjes së publikut dhe objektivi i tyre kryesor nuk është kapja e autorëve, nxjerrja e tyre me bujë para kamerave për t’i bërë shembull dhe më pas burgosja, por sekuestrimi i parave të siguruara sipas skemave të mashtrimit dhe rikthimi i këtyre parave në arkën e buxhetit të shtetit.

Praktika e hetimit larg vëmendjes së publikut dhe sidomos pa publikuar emrat e kompanive, apo personave të përfshirë, nëse për ta gjykata nuk ka vendosur se janë fajtorë, argumentohet juridikisht me nevojën për të mos përhapur panik dhe pasiguri në ekonomi.

I tillë ishte rasti i bujshëm i ndodhur në vitin 2018 në Gjermani. Autoritetet gjermane dolën me një deklaratë ku thanë se kishin sekuestruar 25 milionë euro asete nga disa kompani të përfshira në një skemë mashtrimi me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Skema ishte thuajse identike me skemën e zbuluar nga autoritetet shqiptare pak ditë më parë, ku disa biznesmenë u arrestuan me akuzën e mashtrimit me TVSH me një dëm prej 4 mln eurosh shkaktuar buxhetit të shtetit.

Në njoftimin zyrtar, policia shqiptare tha se po hetonte prej dy muajsh për zbulimin e kësaj skeme. Por a është e mjaftueshme që të hetosh një krim financiar për dy muaj dhe të arrish me prova bindëse në gjykatë? Vetëm nëse organet hetimore tatimore në Shqipëri janë më të afta se homologet gjermane, sepse rasti i 2018 që na vjen nga Gjermania na sugjeron që jo.

Zyra e Prokurorisë Shtetërore në Berlin doli në muajin gusht të 2018 me një deklaratë të shkurtër, pa emra, as të autorëve të skemës mashtruese dhe as të kompanive të përfshira në të. Deklarata njoftonte se ishte zbuluar një skemë mashtrimi ku të përfshirë dyshohej se ishin më shumë se 50 persona dhe një zinxhir kompanish import-eksporti dhe shitjeje me shumicë e pakicë.

Mashtrimi lidhej me tregtinë e bakrit. Kompanitë e përfshira kishin ngritur një rrjet shit-blerjesh me fatura fiktive, të cilat më pas dorëzoheshin tek autoritetet për të përfituar rimbursimin e TVSH-së, ndërsa në të vërtetë bakri shitej në të zezë. Autoritetet besonin se bëhej fjalë për rreth 100 mijë tonë bakër të importuar nga Serbia që është shitur sipas kësaj skeme. Martin Steltner, zëdhënës i Zyrës së Prokurorisë tha se hetimi kishte nisur që në 2014 dhe në pranga kishte përfunduar vetëm një person me origjinë boshnjake dhe se ishte sekuestruar mall me një vlerë prej 25 milionë eurosh.

Pra, prokurorisë gjermane iu deshën plot 4 vite hetime që të zbardhte gjithë skemën, në përfundim të së cilës arrestoi vetëm një person, që dyshohej si organizatori i skemës mashtruese, por që nuk ishte as pronar dhe as administrator i ndonjë kompanie të përfshirë në këtë skemë shmangieje taksash.

Megjithëse vetëm me një të arrestuar i gjithë operacioni i autoriteteve gjermane u vlerësua si i suksesshëm, pasi jo vetëm që zbardhi skemën e mashtrimit me TVSH-në, por arriti që të sekuestrojë 25 milionë euro, para që përfundojnë në arkën e shtetit.

Me të njëjtën logjikë hetojnë dhe ndëshkojnë edhe organet në vendet e tjera të Bashkimit Europian kompanitë që përfshihen në krime financiare. Praktikat dhe vendimet gjyqësore tregojnë se më shumë sesa burgu, në vendet e zhvilluara kërkohet rikthimi i parave të përfituara sipas skemave të mashtrimit sërish në arkën e shtetit.

Shembujt janë të shumtë. Google, Facebook, Amazon, Microsoft dhe kompani të tjera kanë paguar gjoba të majme për shmangie detyrimesh, monopol, shkelje të privatësisë së klientëve, veprime përmes të cilave kanë përfituar miliona dollarë të ardhura mbrapsht në shkelje të ligjeve të BE-së, por në asnjë rast nuk ka përfunduar njeri në pranga, as Jeff Bezos i Amazon, as Mark Zuckerberg i Facebook, as Sundar Pichai i Google dhe as Bill Gates i Microsoft.

Facebook u gjobit me 5 miliardë dollarë së fundmi për skandalin e Cambridge Analytica, ku mbi 80 milionë të dhëna private të përdoruesve të tij ishin “shitur” për t’i influencuar në fushata elektorale. Mjafton të përmendet fakti se për një shkelje të ngjashme ligjet amerikane përcaktojnë deri në disa vite burg për kriminelët kibernetikë. Por, Zuckerberg pasi u shpjegua sa në një komision hetimor në një tjetër, si në SHBA, ashtu edhe në BE ja hodhi vetëm me gjobën e majme.

Amazon është gjobitur disa herë më e fundit nga Franca me 4 mln euro për vendosje të kushteve të papranueshme për blerësit. 170 mln dollarë është gjoba më e freskët që duhet të paguajë Google qeverisë së Shteteve të Bashkuara si ndëshkim për shkelje të privatësisë së fëmijëve në Youtube.

Në të gjitha rastet askush prej këtyre kompanive nuk ka përfunduar, jo vetëm në gjykatë, por as i arrestuar. Zgjidhja përmes gjobave agresive është zgjidhja që ekspertët e këshillojnë si më të mirën të mundshme për të bërë drejtësi dhe njëkohësisht për të mos dëmtuar ekonominë. Imagjinoni se çfarë do t’u ndodhte aksioneve të Facebook nëse Mark Zuckerberg do të arrestohej? Pak rëndësi ka se sa kohë do të qëndronte, dëmi do të ishte thuajse i pariparueshëm vetëm nga lajmi i prangosjes së tij, për të mos folur për pasigurinë që do të pasonte tek mijëra të punësuar të kompanive të tij në mbarë botën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë