Tatimet kanë bërë me dije se Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj ka pasur një performancë pozitive sa i përket të ardhurave të realizuara në vitin 2018, krahasuar me vitin parardhës, si dhe ka vijuar më të njëjtat ritme edhe në dy mujorin e parë të vitit 2019.
Referuar të dhënave zyrtare, kjo drejtori, ka arkëtuar të ardhura tatimore në total rreth 94.5 miliardë lekë ose rreth 0.5% më shumë sesa ishte planifikuar në vitin 2018 dhe rreth 5.9 milliardë leke më shumë sesa fakti i vitit 2017.
Për këtë qëllim Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj është përzgjedhur si “Drejtoria e muajit”.
Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj aktualisht ka në administrim 724 tatimpagues.
“Kjo drejtori ka pasur performance të mirë edhe sa i përket shërbimit ndaj tatimpaguesve, duke vendosur një mënyrë komunikimi të vazhdueshëm dhe të qendrueshëm, përmes informimit periodik, me qëllim nxitjen e vetëpërmbushjes, rritjen e treguesve të mbledhjes së borxhit, moslejimit të krijimit të borxhit të ri, si dhe intensifikimit e monitorimit të kontrollit” citojnë Tatimet në deklaratë.
Kurse në tërësi, arka e shtetit ka mbledhur 900 mln lekë më pak në muajin janar 2019 krahasuar me një vit më parë.
Sipas treguesëve fiskalë të raportuar prej Ministrisë së Financave, në muajin e parë të vitit 2019 janë mbledhur gati 34.5 miliardë lekë, teksa në Janarin e një viti më parë u mblodhën 35.4 miliardë lekë.
Për Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj, ndër objektivat kryesorë të këtij viti janë: ruajtja e treguesve pozitivë, rritja e nivelit të përmbushjes vullnetare të tatimpaguesve, informimi i tatimpaguesve, por mbi të gjitha trajtim i njëjtë dhe korrekt i tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.