Nga Gazeta ‘SI’ – Bizneset anëtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham) janë shprehur të shqetësuara për problemet e vazhdueshme në platformën shtetërore e-Albania, duke ngritur alarmin për ndikimin e drejtpërdrejtë që ndërprerjet dhe vonesat kanë në aktivitetin e tyre të përditshëm.
Bizneser raportojnë se marrin shërbim të kufizuar në orare të ngarkuara dhe performancë të paparashikueshme, çka ka ndikuar në pamundësinë për të përmbushur detyrimet rregullatore, për t’u shërbyer klientëve dhe për të garantuar vijimësinë normale të operacioneve.
Në disa raste, ndërprerjet kanë detyruar kompanitë të shtyjnë transaksione, të vonojnë pagesa, apo të riorganizojnë burimet njerëzore për të përballuar situatat e krijuara. Kjo, sipas një deklaratë publike nga AmCham, sjell kosto shtesë financiare, rrit pasigurinë operacionale dhe ndikon negativisht në marrëdhëniet me klientët dhe partnerët. Për bizneset që operojnë në sektorë të rregulluar, vonesat në aksesimin e shërbimeve digjitale mund të përkthehen edhe në rrezik për penalitete apo humbje kontratash.
AmCham thekson se sistemet digjitale qeveritare administrojnë të dhëna shumë sensitive dhe, në mungesë të auditimeve të rregullta, standardeve të forta sigurie dhe përditësimeve të vazhdueshme sipas praktikave ndërkombëtare, ekzistojnë rreziqe serioze për stabilitetin ekonomik dhe sigurinë kombëtare.
Dhoma shpreh shqetësim edhe për proceset e prokurimit publik në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), duke theksuar se çdo mangësi në konkurrencën e ndershme dhe në vlerësimin teknik të ofertave mund të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë dhe sigurinë e sistemeve që mbajnë të dhëna kritike shtetërore dhe private.
Për këtë arsye, Dhoma i bën thirrje Qeverisë të ndërmarrë masa korrigjuese të menjëhershme për të garantuar funksionimin e pandërprerë, të qëndrueshëm dhe të besueshëm të e-Albania-s, veçanërisht për shërbimet që janë thelbësore për aktivitetin e biznesit dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore.
Ndër propozimet konkrete të AmCham janë: auditime periodike dhe të pavarura të IT-së dhe sigurisë kibernetike sipas standardeve ndërkombëtare; forcimi i mekanizmave të autorizimit dhe kontrollit të aksesit në përputhje me Direktivën NIS2 të BE-së; vendosja e standardeve minimale të disponueshmërisë dhe vazhdimësisë së shërbimit (SLA), përfshirë rikuperimin nga fatkeqësitë; përmirësimi i procedurave të prokurimit në sektorin TIK mbi bazë merite dhe kritere teknike; si dhe krijimi i mekanizmave të detyrueshëm për njoftimin në kohë reale të incidenteve dhe ndërprerjeve.
Në përfundim, AmCham shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet shqiptare, duke ofruar ekspertizë teknike dhe praktika më të mira ndërkombëtare, me qëllim rritjen e besueshmërisë së sistemeve digjitale, mbrojtjen e të dhënave sensitive dhe forcimin e sigurisë ekonomike të vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



