Treg

Bizneset drejt zyrave të punësimit për të rimarrë punonjësit në punë. Por Financat ende pa udhëzimin

Me premtimin e Ministrisë së Financave se do të paguajë një pagë minimale dhe kontributet gjatë periudhës së punësimit përmes programeve të punësimit 4 mujor dhe 8 mujor, bizneset i janë drejtuar menjëherë zyrave të punës.

Por përballja ka qenë zhgënjyese, pasi përgjigjja e zyrave të punës ka qenë “nuk na ka ardhur ende udhëzimi”.

Këtë e konfirmon edhe përfaqësuesi i Pro Export Albania, Florian Zekja, i cili thotë se nga sondazhi më i fundit i shoqatës, rezulton se më shumë se 60% e kompanive të anketuara punojnë me kapacitet të reduktuar mjaftueshëm, “prandaj ne jemi shumë të interesuar të rikthejmë punonjësit në punë me ndihmën e deklaruar nga shteti, por ende kjo nuk është vënë në jetë sepse nuk ka shkuar udhëzimi tek zyrat e punës. Ne i kërkojmë qeverisë, që incentivat për biznesin të mos i bëjë publike përpara se të jenë të aplikueshme, sepse aq nevojtar sa është biznesi, nuk mund të presë. Ne menjëherë të nesërmen e deklaratës së ministers Denaj u drejtuam tek zyra e punës”.

Sipas Zekaj kjo mënyrë të vepruari humb besimin e ndërsjelltë.

“Këtë tregoi dhe sondazhi ynë që bizneset tona nuk kanë besim tek qeveria dhe politikat e saj nuk i vlerësojnë si të  mjaftueshme. Biznesi sot më shumë se kurrë ka nevojë për mbështetje financiare dhe politika të tjera”- thotë Zekja.

Qeveria ka vendosur të mbështesë bizneset dhe punonjësit e larguar nga puna si pasojë e  krizës së shkaktuar nga pandemia duke ofruarf dy programeve të punësimit,  4-mujor dhe 8- mujor, ku buxheti financon pagën minimale në masën 100 përqind për 2 dhe 4 muaj, si dhe kontributet gjatë gjithë periudhës së punësimit, të cilët janë të regjistruar në zyrat e punësimit.

Po ashtu që të gjithë të punësuarit informalë që kanë dalë të papunë për shkak të pandemisë COVID-19, do të përfitojnë nga programi i nxitjes së punësimit 12 mujor, ku buxheti i shtetit subvencionon kostot e financimit të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore në masën 100%, të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së programit.

Qeveria ka vendosur të ndajë përfituesit e programeve të nxitjes së punësimit, ku duke synuar që të evidentojë bizneset që kanë kryer evazion fiskal, duke mos paguar kontributet e punonjësve, për ata që kanë punuar në të zezë ofrohet 1 vit punësim. Sipas vendimit, “nga ky program përfitojnë ata të cilët deklarojnë që kanë qenë të punësuar, por nuk evidentohen si të tillë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe regjistrohen në zyrën e punësimit.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë