Biznes

Bizneset dhe konsumatorët pesimistë edhe gjatë sezonit turistik: Parashikojnë rritje çmimesh

Nga Gazeta ‘SI’ –Treguesi i ndjesisë ekonomike u ul gjatë muajit gusht, ndikuar nga rënia e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve.

Banka e Shqipërisë raporton se bizneset e industrisë patën rënien më të fortë të besimit me 4 pikë përqindje, ndikuar nga një rënie e kërkesës dhe punësimit. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë rishikuar për lart.

Besimi për bizneset e ndërtimit ra me 2 pikë përqindje, ndikuar nga rënia e aktivitetit ndërtues dhe porositë për të ardhmen. Sa i takon pritjeve, ato për çmimet që do të vendosen në të ardhmen dhe për punësimin paraqiten në rritje.

Treguesi i besimit në shërbime u tkurr me 2.1 pikë përqindje në gusht. Në rënien e TBSH-së kontribuuan vlerësimet më të ulëta të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre dhe për nivelin aktual të kërkesës. Në kahun rënës janë rishikuar edhe pritjet për punësimin në këtë sektor. Ndërkohë, pritjet për ecurinë e çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për lart.

Besimi në tregti u rrit me 5.4 pikë përqindje në gusht dhe u ndikua kryesisht nga vlerësimet në rritje të ecurisë aktuale të biznesit dhe pritjet për punësimin në të ardhmen. Çmimet në të ardhmen u vlerësuan të mbeten thuajse të njëjta me ato të një muaji më parë.

Treguesi i besimit konsumator (TBK) regjistroi një rënie të lehtë me 0.5 pikë përqindje. Konsumatorët vlerësuan me rënie si situatën ekonomike të vendit, ashtu edhe gjendjen e tyre financiare në të ardhmen. Vlerësimi i tyre për blerjet aktuale në shuma të mëdha ra në muajin gusht. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar lehtësisht për poshtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë