Bitcoin po mban qëndrim pas rënies më të fortë që nga nëntori, ndikuar nga perspektiva e reduktimit të stimulit të Bankës Qendrore që po dëmton kërkesën spekulative për kriptomonedha.
Monedha digjitale është momentalisht, të martën e 14 dhjetorit në vlerën e 46.435 dollarëve, pas një rënie prej 6.3% një ditë më parë. Edhe kriptot e tjera si Ether, Solana dhe Dogecoin patën humbje të mëdha.
Monedhat virtuale kanë “vuajtur” kohët e fundit bashkë me investimet e tjera spekulative sepse Banka Federale dhe bankat e tjera në botë, kanë reduktuar likuiditetin post pandemik në treg.
Bitcoin gjatë nëntorit fitoi më shumë se 30% të vlerës së humbur duke arritur në 69.000 dollarë. Investitorët mendojnë se rënia është e përkohshme pasi të gjithë po bëhen pjesë e kriptove.
Kriptomonedha më e madhe në botë, është ende mbi 60% duke tejkaluar dhe asetet e tjera tradicionale si mallrat, aksionet dhe arin. Por lëkundjet e tij të mëdha kanë prishur narrativat e diskutueshme që e konsiderojnë Bitcoin si një rezervë vlere dhe një mbrojtje të inflacionit.
“Ideja se me maturimin e saj, paqëndrueshmëria do të lehtësohej nuk është konkretizuar me të vërtetë,”- tha Marc Chandler, shefi i strategjisë së tregut në Bannockburn Global Forex. “Paqëndrueshmëria është vdekjeprurëse dhe atributet e tjera të saj, si një mbrojtje kundër inflacionit, duken të rreme.”
Bitcoin tani po teston nivelet e mbështetjes të monitoruara nga analistë teknikë. Këto përfshijnë një goditje në mesataren lëvizëse 55-javore të token-it.
“Pas çdo lëvizjeje të madhe rënëse, tregu kërkon kohë për të krijuar një bazë dhe kjo është ajo që ne po shohim”, -tha Vijay Ayyar, kreu i kriptove Luno në Singapor.
Burimi: Bloomberg/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




