Treg

Bitcoin bie përsëri, a është ende i sigurt investimi në kripto?

Dimri i kriptove po zgjat edhe gjatë verës dhe po tmerron akoma më shumë investitorët. Ngjarjet zinxhir si ndalimi i tregtimit të kriptove nga platforma Valud, falimentimi i kompanisë Voyager Digitale dhe shembja e Lunës, po frustrojnë investitorët.

A është ende i sigurt investimi në kriptomonedha?

Archit Gupta, ekspert i tregut, thotë se duke pasur parasysh luhatjet e shpeshta në çmimin e Bitcoin, por edhe ambientin makroekonomik të ekonomisë botërore, rreziku është prezent dhe po shtohet.

Për më tepër, tentativat për të rregulluar dhe ligjëruar kriptot do të largojë më shumë investitorë të vegjël dhe do të lejë hapësirë vetëm për ata me më shumë para dhe eksperiencë.

Bitcoin u rikthye përsëri në trajektoren negative pas një përmirësimi të lehtë, gjatë javës së shkuar, që rindezi pak shpresa për stabilitet. Rënia e javës që sapo nisi, rriti pasigurinë tek investitorët dhe vetë kompanitë.

Sot Bitcoin tregtohet me 19 mijë dollarë dhe besohet se do të shkojë deri në 10 mijë.

Nga ana tjetër, ka ekspertë që presin rritje domethënëse të Bitcoin deri në fund të vitit, siç ka ndodhur me krizat e mëhershme të kriptove. Ndonëse monedhat digjitale janë luhatur fort herë pas here, çmimi i tyre është rritur në raporte afatgjata. Kështu edhe industria do të bëhet më e qëndrueshme, vetëm me investitorë të përhershëm./Livemint


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë