Kosova

Bislimi: Targat nuk janë më pjesë e dialogut, por vendim që po zbatohet

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, thotë se kërkesa për zëvendësimin e targave ilegale të makinave, që Serbia i lëshon për qytetarët e Kosovës, nuk mund të shihet më si çështje e negociueshme në dialogun Kosovë-Serbi.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Bislimi thotë se pret që zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e këtyre makinave me targa të Kosovës, të shkojë mirë, pa pasur nevojë për gjobitjen e qytetarëve.

Zbatimi i planit të Qeverisë ka nisur më 1 nëntor dhe do të bëhet në tri faza.

E para përfshin qortimin e qytetarëve, e dyta shqiptimin e gjobave dhe e treta targat provuese.

Nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në qarkullim do të lejohen vetëm makinat me targa që i lëshon shteti i Kosovës – RKS.

Sipas tij, ky propozim parashikon zgjidhjen e kontesteve në dy faza. Ai thotë se pala kosovare i ka bërë tashmë propozimet e veta në lidhje me të dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do t’ua transmetojë ato krerëve të Gjermanisë dhe Francës, në Berlin, më 3 nëntor.

“Ne shpresojmë se nuk do të ketë fare nevojë për ndarje të gjobave. Kjo në zhargonin publik po quhet qortim, por, në fakt, është një lloj informimi shtesë për këtë afatin prej 21 ditësh, gjatë të cilit qytetarëve u rekomandohet t’i konvertojnë targat e tyre nga ilegale në legale. Ka kapacitete administrative për t’i plotësuar këto kërkesa.

Ne nuk do të donim që asnjë qytetar të penalizohej, për shkak se ende gjendet brenda suazave të aktiviteteve jolegale, siç është puna e targave. Por, megjithatë, më duhet të them që deklaratat e Listës Serbe tregojnë edhe një herë se pse ka ndodhur ky problem.

Deklaratat e Listës Serbe tregojnë se qytetarët nuk po mund të marrin vendime, por dikush tjetër po merr vendime për ta dhe po i detyron ata që ende të mbeten në sferën ilegale. Fakti që duhet të ketë këso kërcënimesh, tregon se qytetarët janë të interesuar të integrohen, janë të interesuar që t’i përdorin apo shfrytëzojnë lehtësimet tatimore dhe doganore që i ka ofruar Qeveria e Kosovës, por një forcë më e madhe po i saboton dhe po i pengon ata në këtë drejtim”, tha Bislimi. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë