Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës për bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, thotë se shtyrja e zgjedhjeve për kryetarët e komunave veriore të banuara me shumicë serbe nuk është një opsion i mirë.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ai tha se shtyrja do të ishte në interes të atyre që mendojnë se veriu në këtë moment duhet të shndërrohet në një zonë të menaxhimit të krizave.
Bislimi tha, ndër të tjera, se Kosova dhe Serbia nuk po bien dakord mbi strukturën që duhet të ketë Komiteti i Përbashkët Monitorues për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ngritja e të cilit duhet të bëhet deri më 18 prill.
Sipas tij, Prishtina mendon se personat që udhëheqin grupin duhet të jenë të ndryshëm nga kryenegociatorët, ndryshe nga qëndrimi i Beogradit. Ai tha se i emëruari i Kosovës për drejtimin e Komitetit është ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.
“Shtyrja nuk është opsion i mirë, është opsion i atyre që mendojnë që në këtë moment më mirë është që veriu të shndërrohet në një zonë të menaxhimit të krizave dhe jo të hyjë në një proces të normalizimit të raporteve.
Për momentin protagonisti kryesor që kërkon shtyrjen e zgjedhjeve është zoti Vuçiç i cili edhe kërkon koncesione për pjesëmarrjen në zgjedhje. Është shumë gabim që edhe zëra nga politika në Kosovë i bashkohen kësaj narrative të zotit Vuçiç.
Ajo që është me rëndësi të thuhet është që me deklarimet e tij të djeshme, zoti Vuçiç në disa instanca e ka shkelur dhe marrëveshjen bazike të datës 27 shkurt, mirëpo edhe aneks- implementimin e datës 18 mars për arsye se deklaratat e tij qartazi tregojnë se ai nuk është i interesuar të ndërtojë raporte të fqinjësisë së mirë me Kosovën, është ende i interesuar të interferojë në punët e brendshme të Kosovës si dhe të pengojë normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.
I pyetur nëse Kosova ka filluar përpjekjet për Asociacionin, Bislimi tha se marrëveshja bazike si dhe aneksi implementues kërkojnë që të dy palët të marrin obligime dhe zbatimi të ndjekë hapa sipas radhës, që nënkupton se njëra palë nuk mund të marrë përfitimet e marrëveshjes dhe pastaj të vendosë në ç’masë dëshiron të kryejë pjesën e vet të obligimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




