Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, i ka thënë të martën(28 shkurt) Parlamentit Evropian në Bruksel se ekzistojnë tri kushte kryesore për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Asociacioni duhet të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës, duhet të jetë në përputhje me qëndrimet e BE-së se nuk mund të ketë fuqi ekzekutive, siç është thënë në letrën që ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federika Mogherini, ia kishte dërguar atëbotë kryeministrit të Kosovës. Së treti, që Asociacioni të mos paraqesë nivelin e tretë të pushtetit”.
Ai ka thënë se sipas ligjeve të Kosovës, nuk mund të ekzistojë autonomi territoriale e serbëve në Kosovë.
Bislimi ka përmendur se 60 për qind e serbëve në Kosovë jetojnë jashtë pjesës veriore të vendit.
Bislimi e ka përmendur Asociacionin kur e ka diskutuar marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën është arritur pajtueshmëri të hënën në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Ai ka thënë se marrëveshja përfshin edhe një pikë që parashikon zbatimin e marrëveshjeve të arritura në të kaluarën në dialog, por që ajo duhet të sqarohet.
“Ky paragraf duhet të detajohet. Së pari të bëjmë një analizë të marrëveshjeve nga e kaluara. Sepse nuk ka kuptim të diskutohet për disa marrëveshje që janë tejkaluar dhe të cilat tani zgjidhen me marrëveshjen e fundit. Si për shembull marrëveshjet për njohjen e vulave, kadastrat, e tjera, nëse me këtë marrëveshje njihen të gjitha dokumentet. Pra, duhet të shohim se cilat marrëveshja janë akoma të vlefshme, e cilat janë tejkaluar tashmë”, ka thënë ai.
Në debatin e zhvilluar në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, shumica e euro-deputetëve e kanë përshëndetur arritjen e pajtueshmërisë mes Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt.
Bislimi ka thënë se tani fokusi mbetet te darkodimi për planin për zbatimit të marrëveshjes.
“Ajo për çfarë u pajtuam është se nuk do të diskutohet më propozimi, por do të fokusohemi në pjesën e dytë, që është edhe më e rëndësishme, sepse ka të bëjë me implementimin. Duhet ta fokusojmë energjinë që të dizajnojmë planin për të shmangur paqartësitë, si dhe për të sqaruar obligimet e të gjitha palëve që dalin nga kjo marrëveshje, si dhe sekuencimin e aktiviteteve që do të pasojnë. Duhet të caktohen edhe afatet kohore dhe modalitetet e monitorimit të zbatimit”, ka thënë Bislimi teksa u është përgjigjur deputetëve.
“Vetëm plani i duhur i zbatimit do të sigurojë se kjo nuk do të mbetet vetëm një nga 34 marrëveshjet që janë arritur deri më tani, por ajo do të krijojë një ndryshim pozitiv në raporte”, ka thënë mes tjerash Bislimi.
Bislimi ka përmendur edhe se Kosova pret që të diskutohen edhe obligimet që ekzistojnë për shuarjen e të gjitha strukturave paralele.
Duke diskutuar për zhvillimet e 27 shkurtit, Bislimi ka thënë se vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën – Spanja, Qiproja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia – të ndryshojnë qëndrimin e tyre pas kësaj marrëveshjeje. “Duhet të ketë unifikim të qëndrimit në BE edhe nga pesë vendet anëtare që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Nëse vendet e BE-së kanë arritur të kenë qëndrim unik rreth agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, e kanë edhe më të lehtë të pajtohen për raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse Serbia ka obligim që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, nuk ka më arsye as nga ndonjëra prej pesë vendeve të BE-së që të mos e mbështesin Kosovën, për shembull në anëtarësim në Këshillin e Evropës, apo në procesin e integrimit në BE”, ka dekaruar Bislimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




