Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, qëndroi ditën e sotme (16 maj) në Bruksel ku mori pjesë në takimet e zhvilluara në kuadër të procesit të dialogut.
Pas përfundimit të takimeve, i pyetur nga gazetarët, Bislimi tha se as nuk është dashur të priten sot rezultate. Sipas tij, është fillim i diskutimeve në mënyrë që palët të shohin se ku ndodhen me procesin dhe ku duan të shkojmë, porse nuk është pritur epilog për ndonjë nga proceset.
Përfaqësuesi i posaçëm i BE për dialogun, Miroslav Lajçak, deklaroi se draft statuti i prezantuar nga ish-ekipi menaxhues duhet të jetë pikënisje për bisedime për themelimin e Asociacionit, mirëpo Bislimi tha se diplomati sllovak e ka sqaruar këtë pjesë duke thënë se ka qenë gabim teknik.
Sipas tij, pikënisja është akti i prezantimit, ndërsa tha se pala serbe ka refuzuar që të diskutojë për çështje të tjera përpos Asociacionit sipas marrëveshjes së vitit 2015.
“Tek zbatimi i pikës 7, sot është precizuar nga z. Lajcak se ka qenë gabim teknik ajo që është shfaq në faqen e tij të Facebook-ut. Nuk trajtohet si pikënisje drafti, por prezantimi i draftit, akti i prezantimit shënon pikënisjen e diskutimeve për zbatimin e pikës 7, ashtu siç kemi thënë dhe ne disa herë në prononcimet tona publike.
Pjesë të tjera janë pastaj ato kriteret për të cilat kemi folur që janë shumë me rëndësi. Nga pala serbe është thënë sot se atyre nuk iu intereson Kushtetuta e Kosovës, nuk i intereson as letra e Mogherini-t, iu intereson vetëm ajo që kanë marrë nga z. Isa Mustafa në vitin 2015 dhe z. Petkoviç edhe i lexonte atë se çka kanë marrë nga z. Mustafa në vitin 2015, thoshte që kështu e duam ne Asociacionin’’, tha Bislimi.
Në lidhje me deklaratat e Lajçakut se draft statuti duhet të jetë pikënisje për themelimin e Asociacionit pati reagime të shumta në Kosovë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se pikënisja për statutin e Asociacionit duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës dhe jo propozime nga Serbia që kanë synim krijimin e një republike serbe në Kosovë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




