Kosova

Bislimi: Marrëveshja me Serbinë të zbatohet pa vonesa e kushtëzime

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se Marrëveshja me Serbinë duhet të zbatohet plotësisht, pa vonesa e pa kushtëzime, nëpërmjet një plani të sekuencimit të drejtë, të balancuar e gjithëpërfshirës.

Ai ka deklaruar para studentëve në Universitetin Leiden në Hagë se Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa ka shtuar se rruga drejt BE-së është fat e vizion i Kosovës.

“Bashkimi Evropian është vizioni, fati e destinacioni ynë. Sinjali që japin dhe raportet e përpiluara për Kosovën siç është vetë ai i Komisionit Evropian, i cili dëshmoi suksesin e vendit tonë, mund të përdoret si kriter matës për të treguar se Kosova e meriton statusin e vendit kandidat. Zëvendëskryeministri Bislimi foli dhe mbi prapavijën e procesit të dialogut me Serbinë dhe Marrëveshjen Bazike të arritur këtë vit. Ai tha se marrëveshja duhet të zbatohet e plotë, pa vonesa dhe pa kushtëzime, përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të balancuar e gjithëpërfshirës”, ka deklaruar Bislimi, thuhet në deklaratën e Zyrës së Komunikimit Publik të enjten.

Sipas deklaratës, Bislimi ka folur edhe mbi potencialin e Kosovës për zhvillim.

“Sa i përket integrimit evropian, foli mbi mbështetjen e gjerë të qytetarëve ndaj anëtarësimit në familjen evropiane. Me rëndësi është fuqizimi i mesazhit se Kosova, përmes institucioneve të saj të maturuara e të përgatitura, është e gatshme të bëjë hapa tutje në këtë proces”, thuhet më tej.

Më 14 shtator, Kosova e Serbia do të takohen në Bruksel për të diskutuar mbi procesin e dialogut.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë paralajmëruar se do të flitet për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit. /Marrë nga Koha.net/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë