Kosova

Bislimi: Janë pesë kritere për statutin e Asociacionit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ka një dakordësi të plotë në Bruksel që do të jenë pesë kritere përmes të cilave do të shihet se a është i pranueshëm si bazë për diskutim drafti i statutit që propozohet nga ekipi menaxhues për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“E para, a parashikon ky draft një shtresë të re të qeverisjes, e nëse e parashikon nuk konsiderohet i pranueshëm për diskutim të mëtejshëm. E dyta, a parashikon të drejta të drejta kolektive, nëse po, e merr epitetin e një drafti të papranueshëm”, tha ai në raportimin para Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

Bislimi përmendi gjithashtu edhe tri kriteret tjera.

“Në ç’masë është (drafti i statutit) në harmoni në marrëveshjet e 2013 dhe 2015 (për Asociacionin)”. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 (për Asociacionin). Si dhe, në ç’masë është në harmoni me letrën që )ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federica) Mogherini, i ka dërguar Qeverisë se çfarë kompetenca mund të ketë Asociacioni”, tha ai.

Zëvendëskryeministri i Kosovës tha se këto “janë pesë siguresa të mjaftueshme që tregon se ky mekanizëm apo ky lloj i vetëmenaxhimi nuk ka asgjë nga ajo që ne e kemi quajtur Zajednica (Asociacioni)”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Por, kjo gjykatë ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen.

Zëvendëskryeministri bëri të ditur se në takimin e 4 prillit që pati me Petkoviçin është diskutuar edhe për takimin e radhës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Sipas tij, Lajçak ka propozuar që takimi i ardhshëm ndërmjet liderëve të mbahet më 22 prill dhe siç tha Bislimi, kryeministri Albin Kurti ka treguar gatishmëri.

Sipas Bislimit më pas ka ardhur një mesazh që presidenti i Serbisë nuk mund të udhëtojë në këtë datë dhe tashmë ka mbetur të diskutohet datë tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë