Kosova

Bislimi i kërkon publikisht Prokurorisë të publikojë raportin për Banjskën

Nga Gazeta ‘Si’- Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se Kosova i ka dërguar Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtar një raport prej 48 faqeve për agresionin në Banjskë.

Por, sipas Bislimit, raportin duhet ta publikojë prokurori dhe jo qeveria, teksa i kërkoi ndihmë anëtarëve të Komisionit për Integrim nga radhët e opozitës që të bëjnë presion publik mbi prokurorinë që ta bëjë publik raportin.

Më tej, ai tha se sa herë sillet Radoiçiçi i lirë rreth veriut dhe sa herë Serbia nëpër kampet e saj përgatit dhe trajton të rinj nga Kosova, rreziku i sigurisë do të jetë permanent.

Bislimi, ka thënë të premten se Kosova është duke kërkuar nga Bashkimi Evropian që ta trajtojë ashtu sikurse Serbinë, në synimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai i ka bërë këto deklarata në Komisionin e Kuvendit të Kosovës për Integrime Evropiane.

Bislimi është pyetur pse Kosova po kërkon që procesi i dialogut me Serbinë – që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian – të ndahet prej procesit për integrimin e Kosovës në bllokun evropian.

“Dialogu është lidhur me integrimin evropian në Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Dialogu është pjesa kryesore në kapitujt e marrëveshjes, rrjedhimisht progresi ka qenë i lidhur me këtë. Ajo që ne kemi thënë është që trajtimi i lidhmërisë mes progresit në dialog, dhe progresit në rrugën drejt BE-së, duhet të jetë i njëtrajtshëm si rreth Kosovës, ashtu edhe Serbisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë