Kosova

Bislimi dhe Petkoviç takohen sot në Bruksel. Dinari, tema e bisedimeve

Nga Gazeta ‘Si’-Përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë mblidhen sot në Bruksel për takimin e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Ndërmjetësuesit evropianë të procesit do të presin veç e veç Besnik Bislimin e Kosovës dhe Petar Petkoviçin e Serbisë, si udhëheqës të delegacioneve të tyre. Takimi i përbashkët trepalësh nuk është ende e sigurt se do të ndodhë.

Bashkimi Evropian paralajmëroi një ditë më herët se do të shtojë trysninë mbi dy vendet për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë për normalizimin e marrëdhënieve.

Bisedimet, megjithatë, mund të mbeten nën hijen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë – temë kjo, po ashtu, e paralajmëruar nga BE-ja.

Me një rregullore të Bankës Qendrore, Kosova e ndaloi përdorimin e kësaj valute më 1 shkurt, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese.

Çështja, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të hënën se është arritur pajtueshmëri për, siç u shpreh, një pjesë të propozimit amerikan për dinarin, dhe shtoi se “do të ishte ideale” që për këtë çështje të arrihet një marrëveshje gjatë takimit të sotëm në Bruksel.

Javën e kaluar, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk pranoi ta pezullojë rregulloren e BQK-së, derisa BE-ja, SHBA-ja dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.

Megjithatë, Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i hodhi poshtë pretendimet e Osmanit për pajtueshmëri, duke i cilësuar si “gënjeshtra”.

Serbia këmbëngul se kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, ndërsa për Kosovën ajo është teknike dhe ka të bëjë me integritetin financiar të vendit.

Një takim për të u zhvillua edhe në fund të shkurtit, por pa ndonjë dakordim. Zyrtarët evropianë thanë atëkohë se “shumë pyetje politike” për rregulloren e BQK-së mbeten pa përgjigje./ Marrë nga REL


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë