Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Bashkimi Evropian ka paraqitur vërejtjet e tij për dy nga gjashtë kushtet e kryeministrit Albin Kurti për pranimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në një konferencë për media të mërkurën, Bislimi nuk ka shpjeguar se cilat nga dy kushtet e Kurtit nuk janë pranuar nga Mirosllav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun.
“Gjashtë kushtet që ka propozuar Kurti, në fakt janë parakushte që tregojnë se mund të diskutohet për mekanizmin e avancuar të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve. Bashkimi Evropian ka vërejtje në dy kushte, por se cilat janë ato dhe pse ka vërejtje mund ta pyesni z. Lajçak kur të jetë në Prishtinë”, ka thënë Bislimi të mërkurën.
Ai ka deklaruar se Kurti nuk ka pranuar asnjë nga marrëveshjet e kaluara të arritura në dialogun Kosovë – Serbi.
Zëvendësi i Kurtit ka deklaruar se kryeministri është pajtuar për platformën e planit franko-gjerman, por jo për marrëveshjet e kaluara.
“Ajo që z. Kurti ka nxjerrë pas takimit është se ai është dakord me platformën e planit franko-gjerman. Për platformën e cila përmban principet dhe veprimet bazë, ndërkaq gjithçka që ka të bëjë me platformën, implementimin e saj duhet të diskutohet në qasjen implementuese mes palëve në Bruksel. Do të thotë plani franko-gjerman i tregon vetëm kornizat bazë që nënkupton njohjen de fakto mes dy shteteve, ndërkaq se si do të jetë sekuencimi i hapave, për këtë pastaj diskutojnë palët në Bruksel. Prandaj, nuk ka pasur diskutim për asnjë marrëveshje paraprake, por për kornizën e propozimit franko gjerman”, ka thënë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




