Politike

Bisedimet me BE, maratona me 35 pengesa! Ku ka progres e ku çalon Shqipëria

Gazeta Si – Shqipëria niis zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian këtë të martë, duke i dhënë fund pritjes trevjeçare për fillimin e këtij procesi. Nisja e tyre është një lajm që u përshëndet në Bruksel e Tiranë nga e gjithë klasa politike, por procesi nuk do të jetë i lehtë.

Edi Rama e cilësoi në konferencën e përbashkët për shtyp në Bruksel me Presidenten e KE, Ursula von der Leyen ‘fillimin e fundit’. Edhe Presidentja nuk parashikoi një proces të lehtë.

Në total janë 35 kapituj që duhet të hapen dhe të mbyllen gjatë diskutimeve me dakordësinë e të gjitha vendeve anëtare të BE-së, çka nënkupton se veç vështirësive në përmbajtje, procesi pritet që të hasë edhe pengesa burokratike.

I gjithë procesi i bisedimeve është konceptuar në metodologjinë e BE-së si proces përgatitor, që përafron legjislacionin e vendit kandidat me atë të BE-së, përgatit përmes forcimit të pavarësisë dhe rritjes së efikasitetit e profesionalizmit institucionet e vendit kandidat deri kur të gjitha vendet anëtare të unionit të vlerësojnë se vendi kandidat është gati për anëtarësim.

Kapituj janë nga mjedisi, peshkimi e deri te drejtësia, liritë e të drejta themelore të njeriut dhe konkurrenca e tregu i lirë.

Por, në cilët kapituj çalon dhe ku është mirë Shqipëria?

Duke u bazuar në raportet vjetore të progresit të Komisionit Europian, Shqipëria është në progres të avancuar në kapitullin 15-të që ka të bëjë me energjinë, kapitujt 23 dhe 24 që lidhen me drejtësinë dhe kapitujt 30 dhe 31 që kanë të bëjnë me politikën e jashtme dhe sigurinë rajonale.

Për energjinë, orientimi i BE është drejt energjisë së pastër, kriter që Shqipëria e plotëson, pasi prodhon thuajse 100 për qind të energjisë nga hidrocentralet dhe në këtë drejtim është shumë më para edhe se një pjesë e mirë e vendeve anëtare të unionit.

Në kapitujt që kanë të bëjnë me drejtësinë, reforma e ndërmarrë në 2016-n, pavarësisht problematikave të saj është vlerësuar vit pas viti në raportet e Komisionit Europian. Vërejtja kryesore në lidhje me këtë reformë është zbatimi praktik i legjislacionit dhe përparimi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Për politikën e jashtme, Shqipëria prej vitesh ka shpallur e ndjekur qëndrimin e njësimit të qëndrimeve me ato të BE-së dhe ky njësim u provua së fundmi me sanksionet ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë.

Problematik dhe që mund të marrin pjesën më të madhe të kohës së negociatave, duke e krahasuar me vlerësimet e raporteve vjetore të progresit të Komisionit Europian Gazeta Si identifikon shtatë kapituj.

I pari lidhet me të drejtën për t’u vendosur, jetuar e punuar në një vend tjetër të BE-së (nga vendi i lindjes) dhe e drejta për ta pasur shërbime.

Në këtë pjesë, KE ka ngritur ndër vite shqetësimet për azilantët nga Shqipëria, shkeljen e rregullave të lëvizjes së lirë me BE-në dhe trafikun e të miturve në vendet e unionit.

Kapitulli 5 është kapitulli tjetër, ku Brukseli ka vërejtje. Ai lidhet me tenderat, koncesionet dhe PPP-të. Në raportet e progresit, KE ka kritika për mungesë gare, transparence dhe korrupsion. Për PPP-të, raportet ngrenë shqetësimin se një pjesë e madhe e tyre janë dhënë pa studime të mirëfillta kosto-përfitim.

Kapitulli 8 që ka të bëjë me konkurrencën dhe tregun e lirë vlerësohet gjithashtu nga raportet e KE-së si problematik. Këtu, më shumë se legjiclasioni, BE ka përsëritur çdo vit se problem është moszbatimi i tij, ndërsa korrupsioni cilësohet si një prej faktorëve që po dëmton konkurrencën.

Kapitulli 10, që ka të bëjë me shoqërinë e informacionit dhe median ka gjithashtu vërejtje nga BE. Në raportin e fundit, KE ka kritikuar dy nismat e ndërmarra nga Qeveria për mediat online në kuadër të paketës antishpifje, ndërsa është kritikuar gjithashtu edhe ligji për ngritjen e Agjencisë për Media dhe Informim me dyshimet se kjo agjenci centralizon informacionin dhe dëmton transparencën e llogaridhënien.

Kapitujt 14 dhe 21, që kanë të bëjnë me transportin dhe rrjetet trans-europiane janë gjithashtu dy tema që mund të kërkojnë kohë. Raportet e KE kanë ngritur shpesh shqetësimin për lidhjet e kufizuara të Shqipërisë me rajonin dhe rrjetin europian në infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe atë energjitike.

KE ka shfaqur në raport kritika edhe për mjedisin, që është Kapitulli 27 i negociatave. Në këtë kapitull, vlerësimet e Brukselit, që prej 2016-s ngrenë shqetësime se me projektet e inceneratorëve Shqipëria ka devijuar nga politikat e BE-së, që në krye të piramidës së trajtimit të mbetjeve ka riciklimin dhe jo djegien e tyre.

Problematika e pretendime mund të shfaqen gjatë negociatave nga vende të caktuara të BE-së për minoritetet, pakicat kombëtare dhe të drejtat e pronësisë. Në këto fusha, vërejtje ka shfaqur ndër vite Greqia.

35 kapitujt e negociatave

Kapitulli 1 – Lëvizja e lirë e mallrave
Kapitulli 2 – Lëvizja e lirë e punonjësve
Kapitulli 3 – E drejta për t’u vendosur (në një vend tjetër të BE nga vendi i lindjes) dhe e drejta për të pasur shërbime
Kapitulli 4 – Lëvizja e lirë e kapitalit
Kapitulli 5 – Prokurimi publik (tenderat, koncesionet, PPP)
Kapitulli 6 – Legjislacioni për themelimin, regjistrimin, transferimin, shkrirjen e falimentimin e kompanive
Kapitulli 7 – Ligji mbi pronësinë intelektuale
Kapitulli 8 – Politikat e konkurrencës
Kapitulli 9 – Shërbimet financiare
Kapitulli 10 – Shoqëria e informacionit dhe media
Kapitulli 11- Zhvillimi agrikulturor dhe rural
Kapitulli 12 – Siguria ushqimore, veterinaria dhe politikat fitosanitare
Kapitulli 13 – Peshkimi
Kapitulli 14 – Transporti
Kapitulli 15 – Energjia
Kapitulli 16 – Taksimi
Kapitulli 17 – Politikat ekonomike dhe monetare
Kapitulli 18 – Statistikat
Kapitulli 19 – Politikat sociale dhe punësimi
Kapitulli 20 – Politikat industriale dhe sipërmarrjes
Kapitulli 21 – Rrjetet trans-europiane
Kapitulli 22 – Politikat rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturorë
Kapitulli 23 – Drejtësia dhe të drejtat themelore
Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria
Kapitulli 25 – Shkenca dhe kërkimi shkencor
Kapitulli 26 – Edukimi dhe kultura
Kapitulli 27 – Mjedisi
Kapitulli 28 – Konsumatori dhe mbrojtja e shëndetit
Kapitulli 29 – Unioni doganor
Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme
Kapitulli 31 – Politika e jashtme, ajo e sigurisë dhe e mbrojtjes
Kapitulli 32 – Kontrolli financiar
Kapitulli 33 – Legjislacioni financiar dhe buxhetor
Kapitulli 34 – Institucionet
Kapitulli 35 – Çështje të tjera


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë