Lexo me "Si"

Bisedë rreth Maks Velos…

86 vjet më parë (31 gusht 1935) do të lindte një nga personalitetet e kulturës shqiptare në arkitekturë, pikturë dhe letërsi, Maks Velo.
Në këtë përvjetor, Gazeta Si sjell një pasazh nga libri “Maks Velo, Jetë paralele”. Në këtë libër është e publikuar dosja sekrete e përndjekjes, hetimit dhe dënimit të artistit Velo.
Janë 106 dokumente, një pjesë e të cilave shoqërohet me rrëfime të vetë Velos mbi ngjarjet e raportuara. Në këto dosje-dokumente, gjenden edhe emra artistësh të njohur të artit që kanë spiunuar e kanë qenë pjesë e aparatit të Sigurimit të Shtetit.

Dokumenti 6, “Sekret”, shënim operativ, shkëputur nga libri “Maks Velo, Jetë parale”, UETPress 2018


Sot më datë 04.03.1975 pata një bisedë me piktorin stazhier të Institutit të Arteve, Genc Hajdari. Biseda u zhvillua rreth piktorit Maks Velo, për të cilin Genci na ka denoncuar disa gjëra në vitin 1973. Duke folur për këtë çështje Genci tha: “Tani bëhen disa vite që unë kam biseduar me ju për problemin e Maks Velos dhe mund të mos më kujtohen ato çfarë kam thënë, por megjithatë për të mund të rithem disa gjëra. Maksin e kam pasur pedagog këto kohë. Ai na jepte lëndën e perspektivës, një lëndë mjaft e rëndësishme për formimin e studentëve. Më kujtohet që në leksionet që na jepte Maksi në atë kohë, ai na citonte me zell e pasion të madh citate të filozofëve reaksionarë si: Dideron, Pikaso etj. Për të na dhënë citatet e këtyre filozofëve Maksi ishte gati të humbiste gjithë kohën e leksionit. Për sa i përket krijimtarisë së tij si piktor, Maksi ka qenë një formalist i theksuar. Ai thuajse injoronte përmbajtjen e veprës dhe kapej kryesisht pas formës së saj. Më kujtohet një herë që Maksi kishte bërë një pikturë, një qilim, dhe këtë e kishte paraqitur në një ekspozitë. Këtu kishte paraqitur një qilim, të cilin e kishte bërë me ngjyra të shumta dhe verbuese, pra e kishte ngarkuar me disa ngjyra duke paraqitur një formë të caktuar, e cila nuk kishte asnjë përmbajtje serioze. Kjo pikturë më vonë është cilësuar e gabuar. Si kjo pikturë Maksi ka pasur edhe të tjera. Ai lexonte mirë frëngjisht e anglisht dhe meqenëse dinte këto gjuhë lexonte shumë literaturë të huaj, të cilën e merrte në Bibliotekën Shkencore të UT-së. Maksi në këtë kohë kishte shoqëri me piktorin Fatmir Mati etj. Këta të gjithë shkëmbenin me njëri-tjetrin materialet në gjuhë të huaj që lexonin dhe që i merrnin nga drejtori i Bibliotekës Shkencore të UT-së. Më duhet të theksoj se në kohën që Maks Velo ka qenë pedagog në Institutin e Arteve, dekan në degën e Pikturës ka qenë… ndërsa shef katedre… dhe këta notonin në ujërat që notonte edhe Maksi, sepse leksionet që jepte Maksi konsultoheshin në katedër dhe shiheshin prej dekanit.
Shoqëri shumë kohë përpara Maksi ka pasur dhe me skulptorin Hektor Dule. Në kohën që Hektori u kthye nga Çekosllovakia, hynte e dilte në shtëpinë e Maks Velos, por pastaj u prishën me njëri-tjetrin dhe që nga ajo kohë e deri më sot nuk shkojnë me njëri-tjetrin. Shkakun e prishjes së tyre unë nuk e di.
Maksi ka qenë një njeri i dhënë pas femrave. Më kujtohet se njëherë Maksi i ka propozuar një shoqes sonë studente që kjo t’i shkonte në shtëpi dhe t’i vizitonte studion e tij. Këtë vajzë Maksi e simpatizonte. Kam marrë vesh që Maksi ka një ose dy vite që është martuar me një femër që ka një baba të mirë, profesor, por që janë femra të degjeneruara si e ëma e saj (e cila është franceze me origjinë) ashtu edhe vetë kjo. E shoqja e Maksit ka qenë e fejuar me një tjetër, por e ndau atë dhe mori Maks Velon”.
Në përfundim të bisedës ramë dakord që Genc Hajdari të mendohet dhe njëherë dhe pastaj të takohet me ne përsëri për të biseduar për ndonjë të re rreth Maks Velos.
Biseda me Gencin u zhvillua nga unë dhe shefi, shoku Ilo Noti. Punëtori operativ / Ropi Postoli /


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë