Kryeministri Edi Rama gjatë bashkëbisedimit me kryeministrin britanik Rishi Sunak përpara nisjes së takimit me dy delegacionet në rrugën 10 Down Street u shpreh edhe një herë se shqiptarët që vijnë në Angli nuk mund të identifikohen me një grup kriminelësh.
“Është një moment i veçantë sa i përket bashkëpunimit mes dy vendeve. Ne kemi bashkuar forcat për të luftuar rrjetet kriminale dhe të shmangim përfshirjen e njerëzve të pafajshëm në këtë vorbull. Në aspektin e sigurisë keni gjithë angazhimin tonë për të forcuar bashkëpunimin”, ka deklaruar Rama.
Më tej ai u ndal dhe te debati që bëhet kundër shqiptarëve në mediat britanike, duke i kujtuar Sunak këngëtaren Dua Lipa.
“Kjo është një mundësi për të nënvizuar se jo të gjithë britanikët janë si James Bond apo Mr. Bean dhe jo të gjithë shqiptarët janë karakterë negativë, një djalë që vjen me varkë nuk është thjesht një shqiptar por është pjesë e një panorame më të gjerë. Dua Lipa nuk është vetëm një këngëtare britanike por është dhe një emigrante që ka ardhur këtu, si shumë shqiptarë të tjerë që kanë ardhur për ndërtim, mjekësi, kuzhine, që ndjehen jo vetëm të sigurt këtu por edhe të nderuar”, ka deklaruar Rama në këtë bashkëbisedim të shkurtër.
Më tej ai theksoi se “jam i lumtur që jam kryeministri i parë që vij këtu”, duke ftuar homologun e tij për një vizitë në Tiranë.
“Jemi gati për të bërë më të mirën dhe ju ftoj në Tiranë sepse asnjë kryeminister britanik nuk e ka vizituar Shqipërinë që nga Winston Churchill”, tha Rama.
Më pas Rama dhe Sunak nisën takimin me dyer të mbyllura. Shefi i qeverisë shqiptare shoqërohet nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe ministrja e Financave Delina Ibrahimaj.
Mbi këto çështje, kryeministri Rama ka diskutuar më herët me kryetarin e Kuvendit të Mbretërisë së Bashkuar, Lindsay Hoyle.
Në këtë takim, kreu i Kuvendit të Mbretërisë së Bashkuar ka shprehur keqardhjen për retorikën e përdorur nga politika britanike ndaj shqiptarëve. Ndërsa është nënvizuar domosdoshmëria e luftës së përbashkët kundër rrjeteve kriminale.
"Takim me Kryetarin e Kuvendit të Mbretërisë së Bashkuar, Lindsay Hoyle, i cili shprehu keqardhje për retorikën shqetësuese ndaj shqiptarëve dhe duke nënvizuar domosdoshmërinë e luftës së përbashkët kundër rrjeteve kriminale, theksoi vlerat e pamohueshme të komunitetit shqiptar në Britani, si edhe ngriti lart rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, thuhet në rrjetin social, Facebook, të kryeministrit Edi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.