Analize

Birrë holandeze apo raki Skrapari, ç’do shoqërojë gostinë e 17 tetorit?

Para çdo samiti të liderëve të Bashkimit Europian, ku pritet që të merret një vendim në lidhje me hapjen e negociatave të Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama viziton Berlinin. Edhe në prag të 18 tetorit ai e takoi kancelaren Merkel, kryetarin e Bundestagut, si edhe deputetët e Komitetit të Çështjeve Europiane, që kanë rolin vendimtar në parlament. Por ndryshe nga herët e tjera, nuk bëri vizita në Francë dhe Holandë.

Vendimi i Bundestagut tashmë është pro hapjes së negociatave me 9 kushte dhe me dy faza. Berlini ndërkaq po përpiqet që të 'kënaqë' me këto kushte edhe Francën, por edhe Holandën që po vlerëson se për Shqipërinë hapja e negociatave është e papërshtatshme tani. Por para se lajmi të dilte në media, për 9 kushtet, kryeministri Rama u njoh në Berlin nga deputetët në parlamentin gjerman. Burimet tregojnë se në atë takim Rama nuk ka pranuar që të vendosen kushte të reja politike për Shqipërinë dhe asnjë për Maqedoninë e Veriut, e cila ka si kartë të fortë ka Marrëveshjen historike të Prespës për emrin me Greqinë. Rama mësohet t’u ketë thënë deputetëve gjermanë se problematika e sundimit të ligjit, krimit dhe korrupsionit janë të njëjta në dy vendet që presin hapjen e negociatave, ndërsa kushtet nuk mund të jenë vetëm për Tiranën.

Por biseda ka pasur edhe batuta, kur një nga parlamentarët i ka thënë Ramës se në 18 tetor do të pihet birrë gjermane, duke lënë të kuptohet vendimin pozitiv për Shqipërinë (por me kushte). Nuk ka munguar edhe përgjigjja e Ramës: Ju dërgoj raki Skrapari (dhe u shoqërua me informacionin se është një pije shumë e fortë shqiptare dhe që të bën tapë). Por nga birrë gjermane, çështja duket se do të kalojë në birrë holandeze dhe Rama rakinë mund ta nisë në Amsterdam.

Shah për negociatat

Loja politike për nisjen e bisedimeve me vendin tonë duket se po luhet mes tre lojatarëve të mëdhenj të BE-së: Gjermanisë, Francës dhe Holandës. Qeveria e Angela Merkel ka dhënë një "po" me gjysmë zëri me shpresën se kushtet e vendosura do të shërbejnë si shtyllë sigurie për Parisin dhe Amsterdamin. Negociatat me vendin tonë nuk janë tanimë thjesht një vendim gjeopolitik i BE-së, por edhe një betejë e brendshme e unionit, ku tre fuqitë po kërkojnë secila të thonë fjalën e tyre.

Kancelarja Angela Merkel dhe Mark Rutte, Gazeta Si, 6 tetor 2019

Nëse Gjermania ka gjetur të mesmen e artë, do të mësohet vetëm gjatë mbledhjes së Këshillit të BE-së në tetor, por kushtet e hekurta ndaj Tiranës, duket se kanë qenë deri më tani të mjaftueshme që Holanda dhe Franca të “marrin kohë” përpara se të dalin me një vendim zyrtar.

Mbrëmjen e së premtes, kryeministri Mark Rutte i ka dërguar një letër Parlamentit të vendit, por edhe Brukselit, ku vë në dukje edhe njeherë të gjitha problematikat e Shqipërisë. Edhe pse sjell në vëmendje disa nga arritjet e Shqipërisë, Holanda ka kërkuar përparime të konsiderueshme sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe funksionimin e strukturave të reja të drejtësisë. Këto kërkesa nuk janë suprizë duke marrë parasysh faktin se mafia shqiptare u bë shkak që Amsterdami të kërkonte rikthimin e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë.

Holanda ka treguar kokëfortësi të paparë politike edhe pas vendimit të Bundestangut Gjerman, duke u shprehur jashtëzakonisht skeptike ndaj hapjes së bisedimeve me vendin tonë. Në letrën e saj për Brukselin, qeveria e zotit Rutte e cilëson si të parakohshme hapjen e bisedimeve me vendin tonë për shkak të problemeve me krimin e organizuar dhe sundimin e ligjit.

Megjithatë, në argumentin e tij, Rutte nuk e thotë shkoqur se Holanda do të votojë kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, duke sinjalizuar kështu se vendimi do të merret gjatë mbledhjes së Këshillit të BE-së.

Por nëse Holanda nuk i ka kursyer kritikat, në Francë deri më tani po mbizotëron heshtja. Presidenti Emmanuel Macron nuk ka folur as pro e as kundër negociatave, edhe pse tre muaj më parë do të kundërshtonte më zë të lartë hapjen e temës së zgjerimit, “Reuters” thekson se çdo gjë është në dorë të presidentit francez.

Një diplomat i BE-së ka thënë se varet nga Franca nëse Shqipërisë do i hapen negociatat këtë muaj, duke mos përjashtuar mundësinë që Parisi të shtojë kushte të tjera përveç 9 kushteve gjermane, si një kompromis për të dhënë dritën jeshile. Por edhe Parisi duket se po merr kohën e tij përpara daljes me një vendim zyrtar, të cilin ka të ngjarë ta marrim vesh vetëm gjatë ose pas mbledhjes së Këshillit të BE-së.

Kancelarja Angela Merkel, Presidenti Macron dhe Mark Rutte, Gazeta Si, 6 tetor 2019

Sipas “Reuters” nëse ministrat e BE-së nuk arrijnë një marrëveshje për Shqipërinë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, mund të kërkojë ndihmë nga Macron, për të arritur kompromisin. Në këto kushte, Franca do të ishte në një pozicion më të mirë për të bindur Holandën, pasi deri pak muaj më parë, të dyja vendet kryesonin listën e vendeve skeptike mbi zgjerimin. Nëse Franca do t’i “hapte rrugën” kushteve gjermane, atëherë edhe Holanda do të ndjehej e detyruar të zbuste qëndrimin e saj.

Duke u përgatitur për betejen politike që e pret përpara mbledhjes me dyer të mbyllura të Këshillit të BE-së, Gjermania bëri një propozim të ri, i cili i është paraqitur këtë javë vendeve anëtare të unionit, para se ambasadorët dhe më pas ministrat e bllokut të diskutojnë në mes të tetorit.
Ajo ka propozuar fillimin e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut para fundit të këtij viti dhe ka shprehur dakordësinë në parim për fillimin e procesit për Shqipërinë, por pa caktuar një datë të saktë, pasi vendi ynë duhet të përmbushë fillimisht kushtet e vendosura nga Bundestagu.

Merkel propozon që Tirana të mos ketë një datë konkrete, por Shkupi të nisë bisedimet deri në fund të vitit 2019. Ky propozim i kancelares Merkel duket i hartuar vetëm e vetëm për të zbutur vendet skeptike në qëndrimin e tyre dhe do t’u dorëzohet Francës dhe Holandës gjatë mbledhjes së Këshillit. Dhe aty prapa dyerve të mbyllura dhe mes shumë përplasjesh gjeopolitike duket se do të merret edhe një nga vendimet më të rëndësishme për vendin tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë