Mbledhja e Komisionit parlamentar të Shëndetësisë kishte kryefjalë marrëveshjen e Qeverisë Shqiptare me kompaninë amerikane Pfizer ku sipas Ministres Ogerta Manastirliu pritet që për 3 mujorin e fundit të mbërrijnë rreth 570 mijë doza. Manastirliu tha se është vaksinuar rreth 44% e popullsisë target, mbi 18 vjeç me një dozë. Prej fillimit të procesit, 811,765 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës anti-covid dhe 952,949 kanë kryer njërën dozë.
Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino shpjegoi para deputetëve se përqindja e popullatës target (nga 18 vjeç e lartë) është e vaksinuar 44%, ndërsa mbulimi vaksinal për popullatën e përgjithshme është 25.1 për qind.

Gjatë dëgjesës, deputetët pyetën mbi procesin e vaksinimit dhe furnizimit me vaksina në vend. Kryetarja Komisionit, deputetja e PD, Albana Vokshi tha se qeveria ka falsifikuar shirat e vaksinimit.
“Jemi poshtë mesatares botërore për vaksinim. Qeveria u kujdes të blejë votën, jo për vaksinimin. I është dërguar një material Komisionit të Shëndetësisë me shifra të manipuluara, pasi thuhet që keni një mbulesë vaksinale me të paktën 43.8% me të paktën 1 dozë dhe 37.18% me të dyja dozat. Po ju tregoj statistikat zyrtare ndërkombëtare të çertifikuara ku Shqipëria me 805 mijë persona me të dyja është 23.8%, Serbia me 41.8, Mali i Zi me 34.6%, Kosova me 30.2%, Maqedonia e Veriut 35.1%, Bosnje Hercegovina është me numrin më të ulët, pra jemi të parafundit në rajon”, tha Vokshi, e cila theksoi që numrat e vdekjeve nga Eurostat janë disa herë më të larta nga ato që ka raportuar Ministria e Shëndetësisë.
“Të dhënat tregojnë se Shqipëria në total ka 15.000 të vdekur dhe kjo tregon manipulim shifrash. Kush mban përgjegjësi për këtë,”shtoi Vokshi.
Deputetja e PD theksoi se shpenzimet dhe vëmendja për shëndetësinë janë në nivelin më të ulët pasi qeveria e ka pasur vëmendjen tek krimi zgjedhor dhe vjedhja e votës, çështja e së cilës ndodhet në SPAK.

Ndërkaq zëvendës kryetarja e komisionit, deputetja e PS, Klodiana Spahia theksoi se shikon të nevojshme edhe aplikimin e dozës së tretë të vaksinës njëjtë si vendet e tjera të Europës.
Deputeti i PD, Seladin Jakupllari, u shpreh se në këto muaj pandemie nuk u mor parasysh mjeku i familjes siç u tha dhe pacientët që u trajtuan në shtëpi kanë shpenzuar deri në 1000 dollarë për kurim vetjak. Jakupllari shtoi se situata ka ndikuar edhe në buxhetin e shqiptarëve ku kanë qenë shumë ata që kanë marrë deri në 500 mijë lekë kredi për arsye shëndetësore.
Për aplikimin e dozës së tretë ka folur edhe deputetja tjetër e PD, Oriola Pompuri e cila ka theksuar që është e nevojshme të bëhet edhe doza e tretë e vaksinës anti-covid dhe skepticizmi për të bërë vaksinën është shumë i lartë.
“Janë një pjesë e popullatës që bëjnë punë sezonale dhe nuk ju hyjnë punë vaksinat që nuk janë miratuar nga EMA dhe FDA. Ajo që ne na ka dëmtuar më shumë është koha dhe jo sasia sepse për shkak të asaj kohe kemi humbur shumë jetë njerëzish. Jeni shumë me vonesë. Jemi përballë një situate të panjohur. A i keni marrë masat për të vaksinuar personelin mjekësor. Koha jo sasia, ajo duhet të na bëjë krenarë,” shtoi Pompuri.
Në vijim të debatit, kryetarja e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, Vokshi tha se infektimet u rritën gjatë fushatës elektorale pasi Ministrja shkonte shtëpi më shtëpi dhe jepte legalizime elektorale.
“Gjysma e stafit te saj janë patronazhistë. Shikoni skemën qe ka ngritur të patronazhimit. 674 patronazhiste ka pasur ministrja e Shëndetësisë. 50 mijë të patronazhuar nga ministrja. Ja ku e keni sistemin e patronazhimit, hynte shtëpi me shtëpi dhe ka shkuar ne mes te natës me legalizime elektorale, me sistem patronazhimi. 70 patronazhistë nëpunës që janë marrë me krime elektorale. Janë 70 patronazhistë, do t’i them emër me emër. Këto përcillnin virusin shtëpi më shtëpi. 50 mijë patronazhistë. Ju jeni mazhorancë ilegjitime. Ministrja nuk duhet të ishte këtu sot duhet të ishte dorëhequr. Është përgjegjësja kryesore që kemi nivelin më të lartë të vdekshmërisë. Çonte kura, tamponë dhe legalizme falas ne 22.00 te natës”, shtoi Vokshi.
Më tej në komision kanë ngritur pyetje për vaksinat edhe deputetja demokrate Grida Duma e cila shpjegoi se ka shumë akademikë që janë skeptikë për efikasitetin e vaksinës AstraZeneca. Sipas saj duhet të studiohet efikasiteti i kësaj vaksine dhe të punohet më shumë me besueshmërinë mbi vaksinimin sepse studentët nuk duan të vaksinohen.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manstirliu shpjegoi se qeveria është e gatshme të aplikojë dozën e tretë dhe vaksinimin e fëmijëve kur të këshillohet nga ekspertët e Komitetit Teknik. Manastirliu tha se qeveria do të rrisë edhe më tej diponibilitetin e vaksinave, duke e siguruar 5 milion vaksina deri në 2022.
“Detyra e qeverisë është që të sigurojë vaksinat që dhe ne të arrijmë planin dhe qeveria shqiptare e ka bërë dhe do vijojë ta bëjë. Tani kemi siguruar mbi 2 milion doza vaksine, deri në fund të vitit arrijmë 3 milion doza dhe deri vitin e ardhshëm janë 5 milion doza vaksine të siguruara. Pra ne jo vetëm kemi siguruar 4.4 milion doza për popullatën target, por deri vitin e ardhshëm do sigurojmë mbi 5 milion vaksina, për të vijuar edhe me skenarët e tjerë”, deklaroi Manastirliu.
Më tej Manastliu shpjegoi se shpërndarja dhe administrimi i vaksinave në popullatë përkatësisht është: Pfizer-86 %, Sinovac mbi 80%, Astra Zeneca 94%, Sputnik 89%
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje