Biznes

Binance ka financuar prej 4 vitesh kompaninë që po hetohet për pastrim parash

Gjigandi i Binance ka financuar platformën e kriptomonedhave Bitzlato me 346 mln dollarë vlerë në Bitcoin raporton Reuters. Kreu i Bitzlato u arrestua javën e shkuar në SHBA nën akuzën e “drejtimit të një kompanie që pastron para”.

Departamenti i Drejtësisë më 18 janar tha se akuzoi bashkëthemeluesin dhe aksionerin e Bitzlato-s, Anatoli Legkodymov, një shtetas rus që jeton në Kinë, për operimin e një biznesi të këmbimit të parave të palicensuara që “operon në teknologjinë e lartë të kriptokrimit” duke përpunuar 700 milionë dollarë në fonde të paligjshme.

Binance, platforma më e madhe në botë për këmbimin e kriptove ishte ndër tre palët financuese të Bitzlato nga maji 2018 në shtator 2022 dhe e vetmja që merrej me kripto. Të tjerët ishin operatorë të tregut të drogës në Rusi në dark-web dhe një faqe online ruse e quajtur “Finiko” e përshkruar si një skemë Ponzi në Rusi.

Bitzlato, e regjistruar në Hong Kong ishte një shqetësim i pastrimit të parave e lidhur me burime të paligjshme të parave në Rusi, sipas Rrjetit të Krimeve Financiare në SHBA, FinCen.

Një përfaqësues i Binance tha se ata kanë dhënë ndihmën e tyre në mbështetje të investigimit të rastit të Bitzlato.

Kompania është e përkushtuar të “punojë në bashkëpunim” me ligjin, shtuan ata, duke refuzuar të japin detaje në lidhje me marrëdhëniet e saj me Bitzlato ose natyrën e bashkëpunimit të saj me agjenci të tilla.

Bitzlato, faqja e internetit e të cilit thotë se është sekuestruar nga autoritetet franceze, nuk u arrit dot nga Reuters. Legkodymov, nuk ka bërë asnjë koment publik që nga arrestimi i tij në Miami javën e kaluar dhe nuk iu përgjigj kërkesave të dërguara me email për koment.

Një avokat i themeluesit të Finiko, Kirill Doronin, tha se deklarata e FinCEN ishte “e pafat për të, pasi ai vazhdon të shpresojë për kthimin e kriptomonedhës tek investitorët nga njerëzit që e vodhën atë”.

Megjithatë, një ish-rregullator bankar i SHBA-së dhe një ish-zyrtar i zbatimit të ligjit thanë se statusi i Binance si një nga palët kryesore do të përqendronte vëmendjen e Departamentit të Drejtësisë dhe të Thesarit të SHBA-së në marrëveshjet të saj me me Bitzlato.

“Unë nuk do ta quaja një goditje paralajmëruese, do ta quaja të drejtëpërdrejtë,” – tha Ross Delston, një avokat i pavarur amerikan dhe ish-rregullator bankar, i cili është gjithashtu një dëshmitar ekspert për çështjet kundër pastrimit të parave.

Departamenti i Drejtësisë dhe FinCEN nuk pranuan të komentojnë.

Binance lëvizi mbi 20.000 Bitcoin, me vlerë 345.8 milionë dollarë në kohën kur u kryen transaksionet, në rreth 205.000 transaksione për Bitzlat. Shifrat u përpiluan nga studiuesi kryesor amerikan i blockchain Chainalysis dhe u publikuan nga Reuters.

90 mln dollarë transaksione janë bërë pas gushtit 2021, kur Binance tha se do të kërkojë identifikimin e klientëve të saj në kuadër të luftës kundër krimit financiar.

Chainalysis, i cili përdoret nga autoritetet amerikane për të gjurmuar flukset e paligjshme të kriptove, kishte paralajmëruar në shkurt të vitit të kaluar se Bitzlato ishte me rrezik të lartë. Në një raport, Chainalysis tha se gati gjysma e transfertave të Bitzlato midis 2019 dhe 2021 ishin “të paligjshme dhe të rrezikshme”, duke identifikuar pothuajse 1 miliard dollarë në transaksione të tilla.

Aksioni i SHBA-së kundër Bitzlato vjen ndërsa Departamenti i Drejtësisë heton Binance për pastrim të mundshëm parash dhe shkelje të sanksioneve. Disa prokurorë federalë kanë arritur në përfundimin se provat e mbledhura justifikojnë ngritjen e akuzave kundër drejtuesve duke përfshirë themeluesin dhe CEO Changpeng Zhao.

Binance, e cila nuk zbulon vendndodhjen e bazës së saj, ka përpunuar të paktën 10 miliardë dollarë pagesa për kriminelët dhe kompanitë që kërkojnë të shmangin sanksionet e SHBA-së, zbuloi Reuters në një seri artikujsh vitin e kaluar bazuar në të dhënat e blockchain, gjykatave dhe të dhënat e kompanisë.

Raportimi tregoi gjithashtu se Binance me qëllim mbajti kontrolle të dobëta kundër pastrimit të parave dhe komplotoi për t’iu shmangur rregullatorëve në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë, sipas ish-drejtuesve dhe dokumenteve të kompanisë.

Burimi:Reuters/ Përshtati: Gazeta ‘SI’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë