Treg

Bimët medicinale, boronica dhe vajrat esencialë ndër produktet më të kërkuar në Shqipëri gjatë pandemisë

Gjatë vitit 2020, boronica dhe molla e egër ishin dy nga produktet më të kërkuara në treg në Shqipëri. Sipas studimit të Ministrisë së Bujqësisë, mbështetur nga GIZ, tregon se kishte dhe tregtarë që patën humbje, pasi  kishin lidhur kontrata për boronicën me çmime më të ulëta sesa blihej.

“Mbledhja dhe kultivimi i bimëve aromatike dhe medicinale për prodhimin e vajrave esencialë është rritur në mënyrë të konsiderueshme viteve të fundit. Gjethet e dafinës, lule makthit, sherebela, dhe kokrrat e dëllinjës janë kryesoret nga bimët aromatike dhe medicinale nga të cilat merret vaji esencial” thuhet në studim.

Mes luleve, më e preferuara është çaji i malit.

“Megjithatë, kultivimi i çajit të malit (Sideritis) nuk ka qenë shumë i suksesshëm. Humbja e cilësisë, jetëgjatësia e shkurtër e bimës së kultivuar në disa zona (p.sh. Devoll) (për shkak të niveleve të larta të lagështisë së tokës), dhe rënia e çmimit ka bërë që fermerët të braktisin kultivimin. Kultivimi qenë më mirë në zonat malore pranë Prespës dhe Gjirokastrës” raportohet në studim sipas përshtypjeve të marra nga palët e interesit.

Nga studimi, kultivimi i aguliçes,  në zonat e Ersekës, Dibrës dhe Kelmendit është kthyer në një aktivitet fitimprurës, sidomos në tokat joproduktive.

Ndër frutat e eksportuara gjatë 2020-s, renditen molla e egër, dëllinja e zakonshme dhe e kuqe, boronica. Kërkesa për dëllinjë në vitin 2020 u rrit ndjeshëm bashkë me ccmimet.  Në mënyrë të ngjashme, çmimet e boronicës u rritën në vitin 2020 për shkak të prodhimit të ulët. Disa eksportues shqiptarë humbën para pasi çmimet e kontraktuara me blerësit e huaj ishin më të ulëta se ato të brendshme”,- thuhet në studim

Sa i takon profilit të Shqipërisë në sektorin e bimëve medicinale dhe aromatike vlerësohet se 15% e tyre në total, kanë të tilla veti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë