Futboll

Biletat për finalen e Tiranës, akuza të forta nga Holanda

Gazeta Si – Ditët e fundit, biletat e finales së Ligës së Konferencës, që luhet në Tiranë, më 25 maj, janë bërë një çështje e nxehtë. Pakënaqësitë e para nisën që nga numri i paktë i biletave në dispozicion të dy skuadrave finaliste, Romës dhe Fejnordit.

Rreth 8 mijë bileta përfituan klubi italian dhe ai holandez për tifozët, një numër shumë i ulët në karahasim me kërkesat për të ardhur në Tiranë. Së fundi ka pasur akuza të forta nga Holanda edhe për UEFA-n, që ka nisur edhe një hetim zyrtar.

Tifozzet e Fejnordit ndezin stadiumin gjate nje ndeshjeje. Gazeta Si, 11 maj 2022

Nga klubi i Fejnordit ka pretendime se nuk ka pasur asnjë lajmërim për biletat që do të shiteshin në sitin e UEFA-s. Në dijeni, sipas klubit holandez, kanë qenë vetëm tifozët e Romës, të cilët kanë marrë më shumë bileta. “Nëse është e vërtetë, është vërtet e papranueshme”, – është shprehur një zyrtar i klubit të Fejnordit për “De Telegraaf”.

Ditën e martë UEFA nxorri në shitje online rreth 8500 bileta, të cilat u zhdukën brenda 3 orësh. “UEFA mund t’i shesë biletat e saj, nuk ka asgjë të keqe këtu, por të gjithë duhet të kenë mundësi të barabarta blerjeje”, – shtoi më tej zyrtari i Fejnordit.

Më 25 maj Tirana do të jetë kryeqyteti i futbollit europian. Roma dhe Fejnordi do të diskutojnë trofeun e parë të Ligës së Konferencës, ndërsa tifozët do të pushtojnë Tiranën. Atë ditë parashikohet të jenë rreth 90 mijë persona që do të vijnë nga Italia dhe Holanda. Për biletat ndërkohë vazhdojnë diskutimet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë