Ashtu siç ishte njoftuar më herët, sot filloi aplikimi elektronik (deri në 30 Maj) për një biletë për ndeshjen e 3-të eleminatore për botërorin amerikan, atë mes Shqipërisë dhe Serbisë në “Arenën Kombëtare”. Plotësimi i formularit të bën pjesë të shortit nga ku do të përzgjidhen ata që do të jenë në stadium. Maksimalisht mund të kërkosh 4 bileta, të cilat mund ti transferosh vetëm një herë.

Por sistemi nuk ndalon aplikimin nga më shumë se një adresë dhe diçka e tillë shfrytëzohet nga më të shkathtit edhe për të fituar diçka më shumë në tregun e zi. Sidomos për një ndeshje si kjo me Serbinë. Mirëpo nuk është vetëm sistemi i aplikimit që mund ta vështirësojë paisjen me bileta. Edhe çmimet e tyre duken të kripura, madje deri në djegëse për disa kategori.

Por kur bëhet fjalë për kuqezinjtë ndaj Serbisë apo dhe Anglisë, të gjithë duan të jenë në stadium dhe FSHF e shfrytëzon maksimalisht për të fituar paratë që nuk grumbullohen për ndeshjet me Andorrën dhe Letoninë. Çmimi më i lirë është 2000 lekë (të reja) për të vazhduar sipas sektorëve në 3000 lekë, 9000 lekë, 15000 lekë, 25000 lekë, 40000 lekë dhe 50000 lekë (dy të fundit në tribunën VIP).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.