Ekonomi

Bilanci post-Covid/ Pandemia i la shqiptarët e thjeshtë në kufirin e mbijetesës, kursyen më shumë por prapë me xhepat bosh

Pandemia ktheu përmbys gati të gjithë sektorët e ekonomisë në botë dhe recesionit ekonomik, ashtu siç shumë prej shteteve të tjera, nuk i shpëtoi dot as Shqipëria.

Gjatë vitit 2020, ekonomia humbi rreth 560 milionë euro dhe pandemia nxori të papunë 43 mijë persona sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.

Në fund të vitit pandemik Shqipëria numëronte gjithsej 1.23 milionë të punësuar në vend, ndryshe nga 1.27 milionë që ishin në vitin 2019.

Karantina, një fjalë që nuk njihej gjerësisht nga masa deri në momentin kur goditi pandemia, u bë papritur emëruesi i përbashkët që po bashkonte të gjithë shtetet, shtresat, njerëzit.

Nga fundi i marsit, kur shqiptarët tashmë kishin hyrë në karantinë dhe ishin mbërthyer nga ethet e krizës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genc Sejko, njoftoi për uljen e normës së interesit në 0.5% nga 1% që ishte, duke e cilësuar situatën në të cilën ndodhej vendi si kritike për ekonominë.

Shqipëria vinte nga goditja që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 dhe pandemia ia shtoi akoma më shumë problemet e mbartura nga ai, ku borxhi publik gjatë 2020-s arriti nivelin 77.8% të PBB-së.

Rënia e konsumit dhe minimizimi i parasë që qarkullontë në treg, ulën inflacionin, ulën normat e interesit dhe në këto kushte u prekën të gjithë sektorët ekonomikë në vend, tregu i lirë, konsumatorët, banka  dhe buxheti i shtetit.

Ndër vazhdën e të gjithë sektorëve që u dëmtuan, sektori i cili u godit më shumë nga pandemia ishte “Tregtia; transporti; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, që ra me 12.5% duke humbur të paktën 270 milionë euro (të ardhura të munguara) sipas INSTAT.

Ky sektor, i lidhur direkt me konsumin, turizmin dhe udhëtimet, është dhe gjeneratori më i madh i punësimit privat në vend, me rreth 200 mijë të punësuar (nga të cilët 60 mijë janë në akomodim dhe shërbim ushqimor).

Pas tij, goditjen më të madhe e ndjeu dhe industria ku mbyllja e përkohshme e fabrikave dhe rënia e porosive nga partnerët e jashtëm, bënë që industria të humbte të paktën 210 milionë euro në 2020-n.

Nina Uka, e cila punonte si shitëse në një dyqan veshmbathjesh  në Durrës derisa ai falimentoi në qershor të vitit të kaluar, pohoi për gazetën SI se pavarësisht se ajo dhe dy prindërit e saj që punonin si mësues dhe rrobaqepëse, u përpoqën të kursenin aq sa mundën, sërish pandemia e goditi ekonominë e familjes së tyre dhe xhepat e tyre ende nuk përballojnë shumë kosto tani.

Teksa në fillim të pandemisë karantina detyroi shumëkënd që të rrinte në shtëpi, edhe shpenzimet për bare e restorante ranë në mënyrë drastike.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, indeksi i volumit të shitjeve të aktivitetit “Bar-restorante” ra me 55% në tremujorin e dytë, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s.

INSTAT raporton se mesatarisht, aktiviteti i bareve e restoranteve qarkullon rreth 375-390 milionë euro në vit, sipas të ardhurave gjithsej raportuar në “Anketën Strukturore të Ndërmarrjeve 2018 dhe volumit të rritjes prej rreth 4% në 2019-n. 

Mesatarisht çdo tremujor, shqiptarët shpenzojnë në kohë normale në bare e restorante rreth 95-97 milionë euro. Ndërsa në tremujorin e dytë 2020, në kulmin e karantinës, rezulton të jetë shpenzuar 55% më pak, ose rreth 54 milionë euro më pak për ritualin e përditshëm të kafesë.

Turizmi i cili statistikisht, sipas Eurostat, sjell të ardhura vjetore në masën 20% të PBB-së, të stimuluara më së shumti nga turistët e jashtëm ishte një ndër sektorët që u godit më shumë. Gjatë vitit 2019, Shqipërinë  e vizituan 6 milionë turistë, duke shënuar kështu vitin më të artë për turizmin në Shqipëri ndërsa në vitin 2020, kjo shifër u përpjestua në 2.6 milionë.

Erjon Mane, drejtues i Matias Travel ka pohuar disa herë për gazetën “SI” se pandemia shtyu shumë agjenci turistike drejt falimentimit.

Kliton Gërxhani, zëvendës kryetar nga Shoqata Shqiptare e Tur Operatorëve dhe Agjencive Turistike llogarit që Covid-19 i ka shkaktuar turizmit shqiptar 1,8 mld euro humbje dhe i kontaktuar nga gazeta “SI”  ai thekson se humbja më e madhe e sektorit është në radhët e burimeve njerëzore të kualifikuara, të cilat është gati e pamundur të rekuperohen, pasi janë larguar jashtë.

“Vlera e shtuar e këtij sektori ka rëndësi ekonomike e strategjike për vendin pasi për çdo një lek të investuar, krijohen tre lekë vlerë e shtuar dhe për çdo një të punësuar në këtë sektor, hapen tre vende të reja pune. Goditja e kësaj industrie krijoi një terren i cili ishte mjaft i vështirë për tu rikuperuar ku qindra punë u vunë në pikëpyetje”-thekson Blerina Ago, eksperte në fushën e turizmit.

Bizneset e vogla e mbajnë mend mirë se si u detyruan të shkurtonin stafet dhe sesi likuiditeti u rrudh. Shumë prej tyre u detyruan të ulnin qepenat e të dhënat nga Qendra Kombëtare e Biznesit na tregojnë se përgjatë 2020 janë çregjistruar 4.887 të tillë.

Para disa kohësh, Gazeta SI tregoi historinë e biznesit të instalimeve elektrike, të qytetarit M.ZH në zonën e Don Boskos,  i cili u detyrua të aplikonte për kredi sovrane në mënyrë që të shpëtonte biznesin e tij nga falimentimi, e kur kjo sërish nuk shërbeu, ai u detyrua të shiste njërën nga pronat e tij.

Në një situatë kur rastet ditore ishin të larta dhe alarmante e kur humbja e vendit të punës po bëhej gati-gati normale, shumë prej qytetarëve u përfshinë në një valë kursimi si pasojë e gjithë pasigurisë që induktonte pandemia e Covid-19.

Banka e Shqipërisë raportoi se depozitat në fund të 2020-ës arritën në 10.4 miliardë euro, me një rritje prej më shumë se 763 milionë eurove.

Si rrethi me përqendrimin më të madh të aktivitetit ekonomik dhe të popullsisë, në Tiranë ka qenë edhe niveli më i lartë i kursimit ku depozitat u rritën me 62.9 miliardë lekë krahasuar me vitin 2019.

Nëse ka pasur një sektor që nuk e ka ndier fare krizën ka qenë ai i aktiviteteve të pasurive të paluajtshme që ka shënuar rritje gjatë të gjithë tremujorëve, madje edhe në të dytin kur vendi ishte në karantinë totale (+5.47%), ndërsa gjithë vitin e mbylli me një zgjerim prej 6.74%.

Edhe ndërtimi gjithashtu ka parë një rritje të numri të subjekteve me 7%, teksa në vitin pandemik u shtuan (neto) rreth 334 firma të reja që ushtrojnë aktivitetin në këtë sektor. Ai ka shënuar dhe numrin më të lartë të bizneseve të hapura nga të gjitha aktivitetet e tjera ekonomike, përjashtuar bujqësinë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e fundit për “Pasqyrën Ekonomike Globale” vlerëson se ekonomia do të rritet me 5% në 2021, duke ulur kështu pritshmëritë pasi në vlerësimin e fundit parashikonte një rritje prej 6.1%.

Tashmë Shqipëria ka hyrë në sezonin turistik dhe aktorët e tregut pohojnë për gazetën “SI” se rezervimet janë më të mëdha në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ekonomia po mbahet e stimuluar, masat kufizuese po lehtësohen, rastet ditore me Covid-19 janë ulur ndjeshëm por për disa qytetarë dhe biznese që humbën punën dhe falimentuan gjatë pandemisë, situata nuk duket aq me ngjyra dhe optimiste…


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë