Drejtësia

Bilanci për krimet zgjedhore, 4 të arrestuar dhe 10 persona nën hetim

Në një bilanc për krimet zgjedhore pas procesit të 25 prillit, për periudhën parazgjedhore, Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar procedim penal për 82 njoftime për vepra penale, prej të cilave 2 janë regjistruar kryesisht.

Aktualisht, sipas Prokurorisë së Përgjithshme, janë vënë në pranga 4 persona, ndërsa 10 të tjerë po ndiqen penalisht për këto veprat penale.

“Janë arrestuar në flagrancë 4 persona, është kërkuar masa e sigurisë ‘arrest në burg’ për 3 persona dhe është pranuar kërkesa për 2 persona”, – thuhet në një njoftim për mediat nga organi i akuzës.

Ndërkohë, 70 kallëzime penale i kanë bërë vetë partitë politike ose kandidatët. “Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë marrë gjithsej 158 njoftime për vepra penale në fushën e zgjedhjeve prej të cilave, 91 drejtpërdrejt në prokurori”.

Nga këto të fundit, “70 njoftime përbëjnë kallëzime të subjekteve politike/kandidatëve drejtpërdrejt në prokurori, 3 njoftime të shtetasve në prokurori dhe 18 njoftime të institucioneve shtetërore në prokurori. Nga çështjet e regjistruara, kanë përfunduar me vendim pushimi 20 çështje me 2 persona ne hetim. Janë pezulluar 3 çështje dhe janë në gjykim 4 çështje me 4 persona”, vijon më tej njoftimi.

Në proces verifikimi paraprak janë 13 njoftime për veprat penale në fushën e zgjedhjeve. Janë transferuar për kompetencë SPAK-ut 24 njoftime dhe është vendosur mos fillimi i procedimit penal për 34 njoftime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë