Drejtësia

Bilanci për 2025-ën, Sokol Sadushi kritikon Reformën në Drejtësi: Nuk po zbatohet siç duhet

Gazeta Si – Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka qenë kritik për mënyrën si po zbatohet Reforma në Drejtësi.

Gjatë konferencës për shtyp të fundvitit, ai ka bërë bilancin e çështjeve të trajtuara nga institucioni që drejton, ndërsa foli për sfidat e sistemit gjyqësor në vend, duke ngritur si problematikë numrin e ulët të gjyqtarëve e prokurorëve në Shkollën e Magjistraturës.

“Unë nuk mund të shprehem pozitivisht për çdo gjë që po ndodh. Unë do ta mbroj atë që kemi hartuar, por mund të jem kritik ndaj mënyrës si po zbatohet reforma në drejtësi, – tha Sadushi. – Kam qenë i kujdesshëm, por edhe kritik, për arsyet se sistemi nuk po funksionin siç duhet. Nuk ka një planifikim të qartë nga organet e drejtësisë se ku do të shkohet. Unë e kam ngritur problematikën e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që duhet të jenë pjesë e Shkollës së Magjistraturës”.

Sipas tij, “është e papranueshme dhe unë kam qenë kritik ndaj KLP dhe KLGJ, që në numrin e planifikuar të kuotave vitin e kaluar, nga 40 kaloi në 20 dhe këtë vit e kaloi në 10 gjyqtarë dhe prokurorë. Kjo tregon për një mungesë vizioni në planifikimin e çështjeve“, deklaroi Sadushi.

Sipas tij, reforma duhet të zbatohet me sa më pak dëme, por pavarësisht kritikave u shpreh optimist se reforma po ecën.

“Unë do të përpiqem të jem realist në kritikat e mia, por kam detyrë të ngre zërin në emrin tim, por edhe asaj që përfaqësoj që kjo reformë duhet të zbatohet me sa më pak dëme. Unë jam optimist për mënyrën si po zbatohet. Pavarësisht kritikave, reforma po ecën. Një gjë është e rëndësishme, që kjo reformë po funksionon”, – tha ai.

Ai tha se një gjyqtar nuk bën asnjë ditë pushimi dhe se është e padrejtë që t’i kërkohet llogari për kohën kur e përfundon çështjen pasi mund të ketë 1 mijë të tilla për të shqyrtuar.

“Mungesa e gjyqtarëve është problemi themelor i sistemit të drejtësisë. Aktualisht janë 307 gjyqtarë efektivë në detyrë, përballë 417 të parashikuar nga struktura organizative, çka do të thotë se sistemi funksionon me vetëm 73.6% të kapacitetit të tij, ose me 110 gjyqtarë më pak. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese nëse merret parasysh se deri në vitin 2028 nga Shkolla e Magjistraturës parashikohet të dalin jo më shumë se 67 gjyqtarë të rinj”, theksoi Sadushi.

Sadushi theksoi se, pavarësisht kushteve të vështira, Gjykata e Lartë ka arritur të ulë stokun e dosjeve me 61% gjatë pesë viteve të fundit, duke dhënë gjithsej 39.269 vendime dhe duke e reduktuar stokun në 14.081 çështje.

Vetëm gjatë vitit 2025 janë dhënë 6.876 vendime, me një normë likuidimi prej 273%, shifra që sipas tij përfaqëson një stërmundim profesional dhe jo një normalitet institucional.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë